E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi opozitar, Protestat e opozitës, nis faza e dytë

Autori i Lajmit: Redaksia
Opozita shqiptare ka nisur fazën e dytë të protestave, por këtë herë me një moto të re “Berisha hap kutitë ose largohu”. Kjo fazë e re është konceptuar në një tjetër mënyrë. Protestat do të jenë më të vogla në numër, por në mbështetje të një grupi të caktuar shoqëror apo duke atakuar një problem të caktuar shoqëror. Kjo fazë e re ka nisur me një protestë para godinës së Televizionit Publik Shqiptar, ku iu kërkua drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, Petrit Beci, drejtorit të Informacionit në TVSH, Artur Kopani, dhe drejtorit të Këshillit Drejtues, Agron Tufa të japin dorëheqjen, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos paguajnë më taksat për këtë institucion që është shndërruar në një megafon propagande për qeverinë. Sipas opozitarëve, TVSH-ja është kthyer në një vegël të Qeverisë, edhe pse paguhet me taksat e shqiptarëve.

Protesta

Gjatë një proteste të zhvilluar dje para TVSH-së ku përkrahësit e opozitës mbanin parulla kundër politizimit dhe shpërdorimit të kësaj medieje, Erion Veliaj denoncoi një për një të gjitha shkeljet e bëra nga drejtuesit e TVSH-së dhe renditi ligjet dhe nenet që janë dhunuar. “Ne sot kërkojmë shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të RTSH për shkak të politizimit të skajshëm të këtij institucioni nën drejtimin e tij, për shkak se RTSH ka dështuar të përmbushë misionin e saj dhe se ka shkelur Ligjin nr 8410 për TVSH”, - tha Veliaj. Sipas tij, ashtu si gjatë komunizmit, ende sot, 20 vjet pas rënies së regjimit, në një Shqipëri anëtare të NATO-s dhe që pretendon të marrë statusin e kandidatit në BE, TVSH vazhdon të mbetet një instrument propagande në shërbimin e pushtetit të radhës.
“TVSH është kthyer në një version elektronik të Rilindjes Demokratike, dhe smund të ndodhte ndryshe kur drejtor i Aktualitetit është një ish-kryeredaktor i Rilindjes Demokratike. Sot TVSH e drejtojnë njerëz që nuk janë vënë aty për të bërë punën e tyre në mënyrë profesionale, nuk janë vënë aty për shkak të aftësive të tyre. Përkundrazi, ata janë vënë aty duke përdorur servilizmin ndaj pushtetit si kriterin e vetëm dhe për ta vënë këtë institucion që ligjërisht duhet të jetë publik, në shërbim të interesave të Familjes që drejton sot vendin”, - theksoi kreu i G99. Opozita u bëri thirrje gjithashtu të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues që të japin dorëheqjen nga ky këshill, i cili prej kohësh tanimë nuk e kryen më funksionin e tij. Dy ditë më parë, aleatët e Partisë Socialiste u mblodhën për të diskutuar strategjinë e re që do të ndjekë opozita tashmë që afati për hapjen e kutive ka përfunduar me përgjigje negative nga Kryeministri dhe koalicioni qeverisës që drejton. Kryetarët e partive të majta dhe të qendrës janë shprehur të vendosur në rrugën e nisur për të bërë të mundur transparencën e zgjedhjeve. Sipas tyre, tashmë që kjo qeveri nuk pati mundësi të ballafaqohej do të kërkohet ngritja e një qeverie teknike që do të bëjë të mundur hapjen e kutive dhe zbardhjen e zgjedhjeve. Ndërkohë ata janë shprehur se do të ketë protesta paqësore në gjithë vendin. Protesta jo vetëm me ngjyrë politike, por edhe protesta popullore, si për çmimin e energjisë, etj. Nga ana tjetër kryeministri Sali Berisha është deklaruar prerë se mazhoranca nuk do ti hapë kutitë e votimit, çfarëdo çmimi që mund të sjellë ky qëndrim, për vendin.

Ky lajm është publikuar: 05/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›