E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB asistencë për liberalizimin e tregut të sigurimit të makinave

Sipas burimeve zyrtare të AMF-së, në kuadër të projektit të përbashkët me Bankën Botërore, të financuar nga First Initiative, mbi "Liberalizimin e Sigurimit të Detyrueshëm Motorik në Shqipëri", ekspertë të Bankës Botërore të fushës së sigurimeve, po zhvillojnë takime intensive me ekspertë të AMF-së, operatorët e tregut dhe me përfaqësues të Byrosë Shqiptare të Sigurimit. 

Qëllimi kryesor është diagnostikimi i situatës aktuale në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik, përcaktimi i hapave të mëtejshëm në përmbushje të objektivave kryesore të projektit: zhvillimi i politikave dhe proceseve drejt tarifimit me bazë riskun të produkteve të sigurimit të detyrueshëm motorik, si dhe përafrimi i kuadrit aktual ligjor që rregullon sigurimin e detyrueshëm motorik me direktivat e BE-së.  

Banka Botërore, thanë burimet, është një partner tepër i rëndësishëm, në drejtim të konkretizimit të një sërë nismave të rëndësishme strategjike, që nga krijimi i institucionit. Këtu mund të veçojmë asistencën në hartimin e projektligjit "Për veprimtarinë e sigurimit dhe të risigurimit" në Shqipëri, Metodologjisë së Mbikëqyrjes me Fokus Riskun, apo dhe propozimet për treguesit tekniko-financiarë që AMF përdor në analizat e tregut të sigurimeve. 

Pritshmëritë e projektit janë tepër konkrete duke i dhënë formë dhe strategjisë që AMF ka patur për liberalizimin e sigurimit të detyrueshëm motorik. AMF në bashkëpunim me tregun do të synojë një tranzicion sa më të lehtë drejt ofrimit të një produkti cilësor të sigurimit të detyrueshëm motorik, në funksion të ndërtimit të një tregu të qëndrueshëm e efiçent. /Start/

                                                                                             2012-04-08 15:10
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›