E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrim online për 778 zona kadastrale rurale

Drejtori i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore pranë Ministrisë së Bujqësisë, Adrian Doko, tha për mediat se procesi i dixhitalizimit të informacionit bujqësor vlerësohet si një nga faktorët kryesorë që do të mbështesë zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë.

Krijimi i regjistrit dixhital të tokës ka filluar në vitin 2009 dhe është ndarë në dy pjesë, në regjistrin e tokës dhe krijimin e sistemit gjeografik. 

Deri tani, sipas tij, janë shpërndarë të gjithë formularët dhe po plotësohen në mënyrë manuale e më pas hidhen në sistem.   Ndërkohë që brenda këtij viti, thotë ai , parashikohet implementimi i një sistemi të ri, në bazë të një programi më të përparuar dhe të sigurt, që do t'i vijë në ndihmë fermerit për çdo informacion. 

"Ky sistem do të lejojë që aplikimet të regjistrohen, të përpunohen dhe të publikohen të gjitha online", tha Doko, duke shtuar se proçesi do të komplementohet me ndërtimin dhe vënien në punë të rrjetit online, që do të lidhë të gjithë zyrat rajonale me serverët qendrorë të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në MBUMK. /Start/

                                                                                             2012-04-08 15:08
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›