E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB dakord: Drejtoria e rrugëve të bëhet Ent

• Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve do të transformohet në një ent publik, i quajtur Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Gjatë një seminari të organizuar dje me donatorët, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, theksoi edhe një herë rëndësinë e reformimit të kësaj drejtorie. "Transformimi i DPRr-së në një ent publik do të jetë shumë pozitiv, si për mënyrën se si do të menaxhohen ato burime financiare që shkojnë në sektorin rrugor, si edhe për sa i përket eficencës së kapaciteteve njerëzore që enti i ardhshëm publik i rrugëve do të ketë", tha ministri. Ndërkaq projekti për mirëmbajtjen e rrugëve dytësore dhe lokale është shumë i rëndësishëm, sidomos për zhvillimin e zonave të thella rurale. Një nga financuesit kryesorë për realizimin e këtyre projekteve është Banka Botërore. Gjatë seminarit të djeshëm, përfaqësuesi i BB-së për Evropën Juglindore, Martin Hamphreys, tha se Banka Botërore e mirëpret iniciativën e qeverisë shqiptare për ta reformuar DPRr-në dhe për të përmirësuar financimin dhe mirëmbajtjen e sektorit të rrugëve dytësore lokale. "Ne kemi kënaqësinë të ndihmojmë qeverinë e Shqipërisë për të rindërtuar një rrjet rrugësh dytësore e lokale, duke filluar nga 1000-1500 km me një kosto totale që varion nga 200 deri në 400 milionë USD", tha ai. BB së bashku me fondin "Opec" do fillojë të kontribuojë me një fond prej 35 milionë USD dhe javën që vjen do të nisin negociatat me qeverinë shqiptare. "Presim që punimet civile për zbatimin e këtij projekti të fillojnë nga fundi i muajit korrik 2008 për disa segmente rrugore", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›