E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boks, Qato thyen portugezin Vitor Sa

• Boksieri shqiptar Kreshnik Qato ka mundur mbrëmë portugezin Vitor Sa në duelin e zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, duke u shpallur kështu kampion bote në versionin WBF.

Shqiptari ka fituar vetëm me pikë sfidën me portugezin, duke marrë votim unanim nga tre gjyqtarët e takimit, të cilët i dhanë triumfin e merituar Qatos. Gjithsesi, ka qenë një duel mjaft i vështirë për boksierin kuqezi, i cili e ka parë veten në tapet që në raundin e parë, kur portugezi Vitor Sa ka arritur ta hedhë në KO. Kishin kaluar vetëm 2 minuta e 20 sekonda nga fillimi i duelit. Megjithatë, Qato ka reaguar menjëherë dhe që nga ai moment ka qenë mjaft superior në krahasim me rivalin e tij. Në të gjitha raundet Qato ka qenë mjaft lart, duke treguar dinakëri dhe aftësi mjaft të mira. Gjatë ndeshjes, gjyqtari holandez i sfidës ka këshilluar disa herë boksierin portugez për pasivitet në duel. Duhet theksuar se në dy raundet e fundit, Qato ka qenë shumë më mirë se sa rivali portugez, duke krijuar avantazh të madh. Pas 12 raundesh e 36 minutash boksim, gjyqtarët dhanë edhe verdiktin e tyre, duke i akorduar një fitore të merituar Kreshnik Qatos dhe duke i dhënë gjerdanin e kampionit. Kjo sfidë kishte një vlerë të dyfishtë, pasi luftohej për titullin e kampionit mesdhetar për versionin WBC, por, çka është më e rëndësishme, për titullin e kampionit të botës, në versionin WBF.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›