E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB mbeshtetje reformave ekonomike shqiptare

Një grup ekspertësh të Bankës Botërore ndodhen në Tiranë për të ofruar asistencën në mbështetje të reformave ekonomike, stabilitetit, rritjes ekonomike dhe përgatitjes ndaj ndikimit të krizës.

Gjatë konferencës për shtyp, përfaqësuesit e Bankës Botërore shprehen të gatshëm për të ndihmuar qeverinë për reduktimin e borxhit.
Përfaqësuesja e Bankës Botërore, Ksenya Lvovsky deklaroi se fokusi i BB për 2012 do të jetë ndihma për Shqipërinë për të zbutur efektet e krizës së eurozonës.
“Financimi i ri i Bankës Botërore për Shqipërinë do të përdoret për të forcuar dhe zgjeruar reformat për konkurueshmërinë dhe qeverisjen. Ndihma do të përqëndrohet në reduktimin e dobësive fiskale dhe borxhit publik” –theksoi Ksenya Lvovsky.
“Objektivi, është të ruhet rritja ekonomike pavarësisht rreziqeve të jashtme.”- thonë përfaqësuesit e BB që parashikojnë se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë 2%.
Duke folur për investimet që janë bërë në Shqipëri, përfaqëuesja e BB përmendi fondin prej 22 milionë dollarë të miratuar më 22 dhjetor për sigurimin e digave.
“Ky financim do të ndihmojë KESH në rehabilitimin e digave” tha Lvovsky, ndërsa për këtë vit ndihma financiare për Shqipërinë do të jetë 40 milionë dollarë.
BB do të ofrojë asistencë dhe për zbatimin e ndryshimeve në ligjin për ndihmen sociale, për të cilën do japë dhe 15 milionë dollarë shtesë, si dhe do ndihmojë qeverinë për hartimin e reformës së pensioneve si dhe për forcimin dhe zhvillimin e reformave. Në muajt e ardhshëm, BB do të pergatisë raportin e progresit për strategjinë e partneritetit me Shqipërinë. Në këtë draft do të rishikohen prioritetet për të bërë ndryshime sipas nevojës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›