INSTAT: Turizmi rriti çmimet e gushtit, inflacioni 3,1 %
Niveli i përgjithshëm i çmimeve që shënoi 3,1 % në muajin gusht, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave ka rezultuar nga turizmi, pasi muaji gusht konsiderohet praktikisht si piku i sezonit turistik. Ashtu si edhe vitin e kaluar, këtë muaj, vendin e kanë vizituar mbi 500 mijë turistë, prej të cilëve Maqedonas, Kosovarë, Serbë dhe nga shumë shtete të tjera evropiane. Kjo prurje turistësh ka nxitur pronarët e resorteve turistike në vend të rrisin çmimet e shërbimeve dhe produkteve që ofrojnë. Sipas INSTAT, niveli i përgjithshëm i çmimeve në muajin gusht 2011, arriti 109.3 %, kundrejt muajit Dhjetor 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.3 %, krahasuar me muajin e mëparshëm. Po sipas INSTAT, ndryshimi vjetor në muajin Gusht është 3.1 %. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 3.5 %. Duke iu referuar po të dhënave zyrtare të INSTAT-it, rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një rritje prej 0.7 %, krahasuar me muajin e mëparshëm. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 4.8 % u vërejt në nëngrupin ”zarzavate, përfshirë patatet”. Në këtë grup është rritur çmimi i kastravecëve me 29.6 %, patëllxhanëve me 24.0 %, domateve me 7.9 %, bishtajave me 7.3 %, patateve me 3.0 %, etj. Çmimet e nëngrupit “fruta” shënuan një ulje prej 1.4 %, ku mund të përmendim uljen e çmimit të rrushit me 14.1%, mollëve me 9.0 %, dardhëve me 4.8 %, shalqirit me 5.6 %, pjeprit 4.7 %, kumbullave me 4.5 %, etj.