BBC mat pulsin e amerikanëve para zgjedhjeve
MEDIA E HUAJ
Pas një fushate të gjatë që ka filluar që vitin e shkuar, dy partitë kryesore amerikane kanë zgjedhur në muajt e verës, kandidatët që do t'i përfaqësojnë ato në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. “BBC” ka pasqyruar luftën e ashpër politike derisa demokratët zgjodhën senatorin e ri me ngjyrë Barak Obama si kandidat të tyre, ndërsa republikanët politikanin e vjetër, veteranin e luftës së Vietnamit, John Mccain.
Por çfarë mendojnë amerikanët e thjeshtë në këtë fushatë politike, ata amerikanë që janë larg kamerave dhe mikrofonëve të gazetarëve. “BBC” ka filluar një turne të gjatë për të shkuar tek amerikanët e thjeshtë e për të sjellë mendimet e tyre.
Një autobus i BBC-së ka filluar një udhëtim mes për mes SHBA-së nga Kalifornia në Nju Jork.
Një nga çështjet kryesore të ditëve të fundit ka qenë kriza në institucionet financiare. Po çfarë ndikimi ka kriza e tanishme financiare në SHBA larg Wall Street-it? Autobusi i BBC-së, ndaloi në qytezën me rreth 7000 banorë dhe me emër të çuditshëm - Truth or Consequences (E vërteta dhe Pasojat) në shtetin e Nju Meksikos. Ros Atkins foli me disa banorë vendas. Ed Irwin, është sipërmarrës dhe ka disa kompani lokale, një për shitje-blerje banesash, një kompani shpimi për të gjetur puse uji dhe një Krematorium. Eve Elting, është mjeke në klinikën e qytetit. Ajo ka një eksperiencë 20-vjeçare si mjeke. Ka punuar nga Nju Jorku në lindje, në Los Anxheles e Kaliforni në perëndim. Dale Witt, ka tetë vjet që ka dalë në pension. Ai vjen nga fusha e artit dhe argëtimit.
Irwin: Po të flasim për ekonominë, shumë vetë thonë se për ne nuk përbën problem. Ne jemi shumë të kujdesshëm në investimet tona, dhe nuk rrezikojmë, investojmë në bonot qeveritare që janë shumë të sigurta dhe jemi të siguruar. Por pas fiaskos më të fundit me Lehman Brothers pamë se ka mundësi që të humbim rreth 10 për qind të portofolit tonë. Pra kjo, mendoj unë, na prek ne në mënyrë të konsiderueshme në komunitetin tonë.
Elting: Unë kam disa investime personale, por nuk mendoj për ato, sepse jam mjeke dhe mund të mbijetoj, për fat, me punën time, por shoh që ajo ndikon tek njerëzit rreth e qark, njerëzit që blejnë shtëpi, që kanë investime. Nuk kam fare besim tek këta drejtues korporatash që bëjnë shumë para, por nuk marrin vendime etike dhe nuk mendojnë për ndikimin në jetën e njerëzve të tjerë, njerëz që humbin vendet e punës, njerëz që do të humbin përfitimet mjekësore.
Witt (pensionist): Problemi që kemi tani, për njerëz si unë, pensionistë, është se nuk kishim asnjë shenjë se cili do të ishte rezultati i këtyre ngatërresave. Po pres të dëgjoj nga autoriteti i bankës ku unë mbaj këto pak të ardhura të mia për të parë nëse kjo, në fund të fundit, do të ndikojë tek mua, lidhur me atë që kam ose nuk kam unë. Unë personalisht u ndikova nga rritja në çmimet e karburanteve. Nuk udhëtoj më ashtu siç bëja më parë, sepse nuk kam para të mjaftueshme. Nëse do bëhen edhe çmimet e ushqimeve të papërballueshme? Do të mbjell në kopshtin tim zarzavate. Dhe do t’i kërkoj qeverisë që të ardhurat e mia të shtohen për të mbuluar këto.