E Diel, 1 Nëntor 2026

BDI kthehet në Kuvendin e Maqedonisë

Në Maqedoni, BDI, partia shqiptare, pjesë e mazhorancës, do t'i rikthehet punës së Parlamentit

Kryetari i grupit parlamentar, Tahir Hani, tha se ky veprim vjen pas koordinimeve që kanë pasur me VMRO-DPMNE-në, me të cilën përbëjnë mazhorancën.
“Pasi arritëm kompromisin dhe marrëveshjen, që në ligjin për denacionalizim të intervenohet në përputhje me kërkesat e BDI-së, tashmë ne do të marrim pjesë në mënyrë normale në Kuvend”, tha Tahir Hani i BDI-së.
Shkak i largimit të BDI-së nga Parlamenti ishte ndryshimi i ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, i cili, sipas BDI-së, do të ishte në dëm të qytetarëve.

Tri kërkesat e BDI

Por BDI vazhdon të ketë marrëdhënie të tensionuara me VMRO-DPMNE-në.
Ajo i ka bërë një kërkesë partisë së Kryeministrit me tri pika, ku përfshihen statusi i ish-ushtarëve të UçK-së, rasti “Sopot”, ku disa shqiptarë janë në burg, edhe pse kanë dalë fakte që sugjerojnë se ata mund të mos jenë fajtorë, si dhe procedimi nga gjykatat e Maqedonisë të rasteve që Haga i ktheu për shkak të mungesës së fakteve që hetojnë ish-UçK-në.
Kryeministri Nikolla Gruevski në fundjavë nuk deshi t’i komentojë këto kërkesa.
Por ku e le një gjë e tillë BDI-në? Do të fillojë sërish mospjesëmarrja në punët e Parlamentit?
“Sa u përket kërkesave që i ka parashtruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kjo është një situatë e re, për të cilën do të veprojmë në përputhje me vendimet që do të merren në Kryesinë e BDI-së”, tha Tahir Hani, kryetar i grupit parlamentar të BDI-së.

Tensionet e larta

Vëzhguesit ndërkohë thonë se edhe pse java duket se fillon qetë, tensionet janë të larta.
Ngjarjet e javës së shkuar, aksionet e policisë, gjetja e armëve si dhe vrasja nga policia e katër personave kanë sjellë klimë delikate.
Kësaj situate i shtohen edhe vërejtjet serioze që vijnë nga zyrtarët e BE-së, si në Shkup ashtu edhe në Bruksel se Maqedonia është duke ngecur seriozisht në reformat drejt BE-së.
Deri më tani, problem i rrugës së integrimit ishte vetëm çështja e emrit me Greqinë.
Kryeministri tha se po punonte që ta zgjidhë këtë çështje shumë shpejt, por me kalimin e kohës, vërejtjet e ndërkombëtarëve që janë shpeshtuar, nuk shohin vështirësi vetëm në këtë çështje, por në të gjithë veprimin e qeverisë së Gruevskit.
Ai, nga ana e tij, thotë se është i angazhuar që të çojë vendin përpara.

Nazim Rashidi BBC Shkup

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›