E Diel, 1 Nëntor 2026

BDI nuk lëshon pe, Ahmeti pret përgjigje nga Gruevski

Pas takimit të mbrëmshëm me liderin e BDI-së Ali Ahmetin, kryeministri Nikolla Gruevski, për nesër ka thirrur mbledhje urgjente të Këshillit të përgjithshëm të partisë të cilën e drejton VMRO DPMNE-në. Siç raporton ALSAT M, Gruevski ka thirrur këtë mbledhje për të ndërtuar qëndrim para se të niset për në Amerikë, ku do të qëndrojë gati një javë. Takimi i mbrëmshëm mes Ahmetit dhe Gruevski që ka zgjatur rreth tre orë, ka përfunduar pa ndonjë vendim konkret. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani tha se qëndrimi i fundit që Ahmeti i ka prezantuar Gruevskit është se nëse nuk ndryshon projektligji i branitellave, atëherë vihet në pikëpyetje funksionimi i koalicionit.

“Në takim është biseduar hapur për dy momentet e fundit nderimin institucional të dëshmorëve të UÇK-së nga përfaqësuesit e Qeverisë dhe Armatës së Maqedonisë, z. Ahmeti përsëri ka tregu qëndrimin se ai është një akt me bindje, me qëllim ndërtimit të pajtimit në kuadër të frymës së MO-së dhe nuk është akt për të provokuar dhe për të ofenduar dikë, kurse sa i takon momentit të dytë, propozim ligjit për të ashtuquajturit branitella ka përsëritur qëndrimin se është i pa pranueshëm si i tillë, se ai ose duhet të tërhiqet ose duhet të ndryshohet që të përfshijë edhe palën tjetër të konfliktit në mënyrë të barabartë, nëse jo , atëherë kjo do të vë në pikëpyetje koalicionin qeveritar”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
 

Osmani tha se sa i takon projektligjit për branitellat, bisedimet do të vazhdojnë dhe se në partinë e Ahmetit presin përgjigje nga VMRO DPMNE pas mbledhjes së nesërme të këshillit të përgjithshëm të partisë së Gruevskit. Raportet mes partnerëve të koalicionit qeveritar u ftohën pasi që BDI me ministrat e saj dhe oficerë të ARM-nderoi dëshmorët e UÇK-së në Sllupçan si dhe pas vendimit të VMRO DPMNE-së të propozojë ligj për `branitellat`.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›