E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE: Pro njohjes së pavarësisë së Kosovës

Parlamenti Evropian i ka kërkuar të gjitha vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë. Në rezolutën e miratuar në Strazburg me 424 vota pro, 133 kundër dhe 24 abstenime është theksuar se nuk ekziston asnjë mundësi për ndarjen e territorit të Kosovës, pavarësisht pretendimeve të serbëve. Rezoluta ka përshëndetur vendosjen e suksesshme të misionit EULEX në të gjithë vendin, ndërsa vendeve të BE-së u kërkohet të mbështesin perspektivën evropiane të Kosovës, duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit. Deputetët europianë i kanë kërkuar Prishtinës zyrtare dhe Beogradit që të angazhohen në dialog për çështje me interes të përbashkët dhe të kontribuojnë për bashkëpunimin rajonal Parlamenti Evropian, i bën thirrje Serbisë që të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv, i cili është në përputhje me aspiratat e saj për antarësimin në Bashkimin Evropian. Dokumenti thotë gjithashtu se marrëveshjet kalimtare mes OKB-së dhe qeverisë së Serbisë duhet të rishqyrtohen, sipas zhvillimeve në terren, kur EULEX të arrijë aftësi të plotë vepruese.

Email This Klikime: 14

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›