BE - zgjedhjet: Konservatorët do të kenë shumicën në parlament

Konservatorët pritet të marrin numrin më të madh të vendeve pas zgjedhjeve të Bashkimit Evropian që zgjatën katër ditë dhe shënuan rekord për pjesmarrjen e ulët.
Parlamenti Europian
Zyrtarët zgjedhorë thanë se sipas anketave të bëra në qendrat e votimit dhe rezultateve të para, një bllok i partive të qendrës së djathtë pritet të ketë 273 vende në parlamentin prej 736 deputetësh. Partitë e qendrës së majtë pritet të marrin 165 vende.
Vendet e mbetura do të kontrollohen nga partitë e ekstremit të majtë e të djathtë si dhe parti të tjera.
Rezultatet e para tregojnë se konservatorët janë në krye në disa nga ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Europian si Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja.
Laburistët e kryeministrit britanik Gordon Braun, parti e përfshirë në një numër skandalesh, pritet të dalin në vend të katërt.
Zyrtarët e Bashkimit Europian thonë se pjesmarrja në votime gjatë katër ditëve që u zhvilluan zgjedhjet ishte pak më shumë se 43 përqind.
Analistët e parashikonin pjesmarrjen e ulët. Sipas tyre, shumë votues mendojnë se Bashkimi Europian – një bllok prej 27 vendesh – ka bërë pak për të luftuar krizën ekonomike globale.
Parlamenti harton shumë ligje të Bashkimit Evropian dhe autorizon buxhetin e tij.