Berisha: Katër vitet e ardhshme Shqipëria një vendi i zhvilluar evropian

Në kuadër të turit elektoral “Shqipëria po Ndryshon”, u ndal gjithashtu edhe në qytetin e Patosit, ku garantoi se Shqipëria do të marrë të gjitha cilësitë e një vendi të zhvilluar, gjatë katër viteve të ardhshëm qeverisës. Gjatë takimit të zhvilluar me banorët e Patosit, Kryeministri Berisha u shpreh se me anëtarësimin në NATO, Shqipëria kurrë nuk ka qenë më e sigurt, nuk ka qenë me kaq shumë miq sa është sot, dhe kjo është vepër e të gjithë qytetarëve juaja.
“Është vepër e punës, mundit, përkushtimit tuaj. Përkushtimit tonë në ndërtimin e demokracisë dhe vlerave të saj në Shqipëri. Sot ne takohemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi tjetër, të një vendi që ka aplikuar për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Të një vendi që brenda vitit të parë të mandatit të dytë do të ketë lëvizjen e plotë të lirë të qytetarëve të tij në Evropë. Qytetarët e tij do të lëvizin në mbarë Evropën pa viza, njësoj si gjithë qytetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, u shpreh kryeministri.
Më tej, shefi i qeverisë garantoi banorët, jo vetëm të Patosit, por edhe të gjithë Shqipërisë, se mandatin e dytë të qeverisjes së PD-së pagat dhe pensionet do të njohin rritje edhe më të mëdha, për të realizuar premtimin e madh, në mënyrë që të kalohen 6 vende të BE.
Berisha theksoi se prioritet tjetër do të jenë edhe investimet infrastrukturore, për të konkretizuar në fund të katër vjetarit të ardhshëm, rrugë të standardeve evropiane.
Kryeministri evidentoi gjithashtu se qeveria do të luftojë vazhdimisht varfërinë dhe për këtë janë në dispozicion 160 mijë vende të reja pune.
...