E Diel, 1 Nëntor 2026

G 99 kamuflohet në MJAFT pranë KQZ duke shkelur ligjin elektoral


Skandali, partia e Erion Veliajt merr paratë e amerikanëve për të vëzhguar zgjedhjet e 28 qershorit


Lëvizja qytetare “Zgjohu” bëri denoncimin e radhës dje ndaj aferave të paligjshme të Erion Veliajt. Këtë herë objektivi nuk ishin milionat në euro, të përvetësuara nga Veliaj dhe klani i tij, me krah mbështetës Edi Ramën, por një tjetër tentativë për të manipuluar. Përfaqësuesi i lëvizjes “Zgjohu” Altin Goxhaj deklaroi dje se pasi plasi skandali i mashtrimit me dorëheqjen e Erion Velisë nga MJAFT, një akt mashtrues që u krye në një sallë publike përballë disa ambasadorëve, komunitetit të donatorëve, medias dhe shoqërisë civile, që në 2007 sepse Erion Veliaj ishte ende përfaqësues ligjor i MJAFT bashkë me Arbjan Maznikun & Co, të gjithë drejtues të G 99. 


KQZ këto ditë pezulloi të gjithë veprimtarinë e rrjetit të vëzhguesve shqiptarë të shoqërisë civile pasi në mes tyre parazitonte subjekti i Erion Velisë, qendra MJAFT.


Siç kishte denoncuar dhe më parë, lëvizja “e fuqishme” MJAFT e prezantuar në median e huaj dhe para donatorëve sikur ka 8000 anëtarë, në fakt nuk ka qenë gjë tjetër veçse një OJF e vogël regjistruar nga 3 vetë gjithsej në formën ligjore të një qëndre! Siç rezultoi nga kontrolli i dokumenteve të Qendrës së Lëvizjes MJAFT, përfaqësues të saj mbeteshin Erion Veliaj dhe Arbjan Manziku, dy kandidatët e parë në listën groteske për deputet të Partisë G 99. 


Goxhaj tha se një skandal i vërtetë i cili ka shokuar jo vetëm anëtarët e KQZ dhe përfaqësuesit e medias, por edhe vetë përfaqësuesit e shoqatave anëtare të Koalicionit të vëzhguesve të pavarur të shoqërisë civile që kanë kuptuar se si po përdoren nga partitë politike. 


“Ky rast skandaloz në fakt ka një histori që akoma nuk është kuptuar nga anëtarët e KQZ-së dhe mediat shqiptare. Arsyeja përse Erion Veliaj, Arbjan Manziku dhe disa drejtues të G99 kanë bërë një rokadë karrigesh brenda MJAFT ka qenë pamundësia e Veliajt dhe Maznikun për të lëshuar postet nga Lëvizja MJAFT pasi ata vetëm kështu mund të kontrollojnë dhe të mbulojnë nga brenda abuzimet e pa precedentë financiare dhe ligjore që kanë bërë me financat dhe projektet e MJAFT. Askush nuk mund të pranojë të shkojë në prokurori dhe polici për llogari të Veliajt, Maznikut dhe të ndonjë tjetri. Veliaj dhe Mazniku që pas denoncimit të plotë që iu bë skemës së tyre abuzive nga gazeta Sot që në nëntor – dhjetor 2009, kuptuan që ekzistonin prova të pakundërshtueshme për t’i ndëshkuar ligjërisht dhe për këtë qëllim ata s’mund të jepnin dot dorëheqje nga MJAFT pasi kushdo që do t’i zëvendësonte do t’i nxirrte zbuluar pasi askush s’ka luajtur mendsh që të mbajë përgjegjësi për grabitjet e parave të rinisë shqiptare të kontribuar nga donatorët e huaj”, u shpreh përfaqësuesi i lëvizjes qytetare “Zgjohu”, Altin Goxhaj.


Ndërkohë, siç rezulton nga faksimilja e Vërtetimit të lëshuar nga Gjykata Tiranë në datë 2 Qershor 2009, në Vendimin me nr. 288/2, dt. 16. 02. 2009 rezulton se Veliaj jep dorëheqjen nga Drejtor Ekzekutiv por në Bordin e Drejtorëve emërohet Arbjan Mazniku i cili ndodhet aty bashkë me Milva Ekonomin, janë të dytët pas Velisë në listën për kandidatë për deputet të G 99 në Tiranë dhe Durrës.


Siç rezulton nga të dhënat paraprake këtu po rrezikohet i gjithë projekti i vëzhgimit të zgjedhjeve nga i gjithë koalicioni i vëzhguesve vendorë pasi të gjithë po implikohen nga loja e G 99 ku sipas të dhënave edhe vetë vëzhguesit e MJAFT dyshohet të jenë anëtarë të G 99 dhe të Partisë Socialiste të cilët planifikohen të përdoren si kamikazë të Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Tashmë çështja është, a do të pranojë KQZ që zgjedhjet të vëzhgohen në mënyrë të pavarur nga Partia G 99 me njerëzit e Edi Ramës me paratë e taksapaguesve amerikanë?



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›