E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha vijon turin elektoral në qytetin e Fushë Krujës

“Asnjë votë për të paudhin Edi Rama që tentoi të përdhosë mikpritjen tuaj ndaj presidentit George W. Bush”

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi paraditen e djeshme një takim me banorë të Fushë-Krujës. Berisha kërkoi publikisht që të gjithë shqiptarët të mos japin vota për kreun e PS, Edi Rama, pasi ai tentoi të përdhosë mikpritjen e krutanëve ndaj njeriut më të fuqishëm në botë, presidentit të SHBA-ve, George W.Bush. 

“Një njeri, i zhveshur nga çdo ndjenjë dhe moral njerëzor dhe kombëtar, tentoi t’ju përdhosë juve mikpritjen, moralin tuaj, detyroi Presidentin e SHBA-ve, rast unik në histori, të nxjerrë orën, të cilën i paudhi shpifi, trilloi se ju ia kishit vjedhur. Asnjë votë atij që shkelmoi mbi mikpritjen tuaj. Ju ftoj të gjithëve, demokratë, socialistë, republikanë, të çfarëdo bindjeje politike, ndëshkojeni me votën tuaj të lirë, sepse guxoi t’ju gjuaj juve fshehtas, guxoi që nga errësira, nga fakultetet më të errëta njerëzore të njeriut, të shpifë në mënyrë monstruoze për mikpritjen e jashtëzakonshme, që ju i rezervuat Presidentit George W. Bush”, u shpreh kryeministri.  

Në fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, kryeministri Berisha foli dhe për zhvillimet që janë bërë për bashkinë Fushë Krujë duke thëne që janë asfaltuar mbi 20 kilometra rrugë, kemi ndërtuar ujësjellës për 5-6 fshatrat të saj dhe kemi investuar në shkolla e qendra shëndetësore. 

Pasi vlerësoi shndërrimet e katër viteve të fundit në Shqipëri në sajë të reformave të kryera, kreu i qeverisë siguroi fermerët shqiptarë për mbështetjen e fuqishme në vitet që vijnë. 

“Ne që asfaltuam në katër vite rreth gjashtë mijë kilometra rrugë, gjatë katër viteve që vijnë do të asfaltojmë të gjitha rrugët e Fushë Krujës dhe Shqipërisë, do të ndërtojmë akset e shkurtra kombëtare që mbarë shqiptarët të lëvizin në rrjetin rrugor më të ri dhe më modern, më kohëshkurtër në rajon dhe në Evropë”, nënvizoi kryeministri Berisha gjatë mitingut elektoral të zhvilluar në Fushë-Krujë.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›