Liban, koalicioni properëndimor shpall fitore ndaj Hezbollahut

Në Liban, koalicioni properëndimor deklaroi se ka fituar në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Në një fjalim drejtuar simpatizantëve, udhëheqësi i shumicës në parlamentin libanez, Saad al-Hariri, shpalli fitoren ndaj aleancës së udhëhequr nga Hezbollahu dhe të mbështetur nga Siria dhe Irani. Zoti Hariri tha se në këto zgjedhje nuk pati as fitues dhe as të humbur. Fitoi Libani dhe demokracia, tha ai.
Ende është e paqartë se sa vende ka marrë secili koalicion.
Hezbollahu dhe aleatët e tij shpresonin ta eliminonin marzhin e vogël të shumicës që kishte koalicioni properëndimor në parlamentin e kaluar prej 128 vendesh.
Ministri i Brendshëm libanez, Zijad Barud tha se pjesmarrja në votimet e së dielës ishte të paktën 52 përqind, duke e kaluar shifrën prej 45 përqind në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005.
Masat e sigurisë ishin të rrepta. Në të gjithë vendin ishin mobilizuar rreth 50 mijë ushtarë dhe policë për të parandaluar dhunën. Mes një numër përkrahësish të kampeve rivale pati përleshje me grushta por jo incidente të rënda.