E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Civil, modernizimi kushton 1 milionë euro

20/03/2009  Projekti parashikon reduktim të kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore për çështjet tregtare

Sanksione të reja dhe më të ashpra për pagesat me vonesë në transaksionet tregtare

TIRANË- Kodi Civil tashmë do të jetë më i modernizuar. Kjo është bërë e mundur falë një projekti që ka kushtuar jo pak, por 1 milion euro. Projekti i financuar nga BE-ja ndihmon në sjelljen e së drejtës tregtare shqiptare në harmoni me standardet evropiane duke përmirësuar kështu klimën e biznesit. Dje në një takim me përfaqësuesit e projektit dhe ministrit të Drejtësisë u prezantuan rezultatet e tij. Këto rezultate përfshijnë një plan veprimi të reformës legjislative për përmirësimin dhe harmonizimin e kuadrit ligjor dhe institucional aktual të së drejtës tregtare, rekomandime për modernizimin e Kodit Civil shqiptar në fushën e kontratave tregtare, dhe rekomandime për ndryshime në Kodin e Procedurës Civile në mënyrë që të reduktohet kohëzgjatja e proceseve gjyqësore.

Përafrimi i legjislacionit në çdo fushë është një proces kompleks dhe plan veprimi i reformës, i hartuar gjatë 18 muajve të fundit nga ekspertët e mundësuar nga projekti, përmban udhëzime dhe hapa të qarta për t’u ndjekur nga Ministria e Drejtësisë në mënyrë që e drejta tregtare shqiptare të sillet në përputhje me të drejtën e Bashkimit Evropian.

Rekomandimet e nxjerra për modernizimin e Kodit Civil paraqesin një numër përmirësimesh. Së pari, ato i shërbejnë mbrojtjes së agjentëve tregtarë kundër shkarkimeve arbitrare, duke dobësuar kështu varësinë e tyre nga porositësit e tyre. Së dyti, ato paraqesin sanksione të reja dhe më të ashpra për pagesat në vonesë në transaksionet tregtare. Për më tepër, ato forcojnë pozitën e konsumatorëve duke reduktuar ndryshimet ndërmjet Kodit Civil dhe ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorëve” 2008.

Për sa i përket modernizimit të Kodit Civil shqiptar, ekspertët propozojnë një numër masash për shkurtimin e kohëzgjatjes së proceseve civile. Për shembull, tashmë janë fuqizuar disa dispozita, të cilat mundësojnë gjykimin e më shumë çështjeve nga një gjyqtar i vetëm në vend të një trupi gjykues prej tre gjyqtarësh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›