Viola është Uni
Ndonëse e ka parashikuar të ardhmen, pa perspektivë, vijon të insistojë në atë që i kanë sugjeruar prindërit, shumë vite më parë. Arian Paço, është pedagog në Akademinë e Arteve për instrumentin e violës, vegla që është shndërruar në një pjesë të pandashme të unit të tij, ashtu siç na shpjegon ai. Dy ditë më parë, në bashkëpunim me një tjetër koleg të tij, violinistin Lorenc Radovani, kanë organizuar një koncert në sallën e madhe të Akademisë, në përkatësi të muzikës së dhomës, një gjini e rrallë në Shqipëri. Për herë të parë, instrumentistët sollën një risi me këtë aktivitet. Ndërthurja e instrumentit të violës dhe violinën, pa shoqërimin e orkestrës. Në këtë mënyrë, imitimi i zërit natyral të njeriut vjen më origjinal, gjë që për profesor Paçon është karakteristika që dallon këto dy “familjare”. Ndonëse prej vitesh e shoqëron ky lloj “zëri”, është koshient se në tregun e punës nuk është se ka gjetur aq perspektivë siç e kishte imagjinuar ose më saktë ashtu siç kishin menduar prindërit e tij, vite më parë. Të njëjtën gjë diskuton shpesh edhe me studentët, edhe pse problemi i mungesës së vendeve të lira të punës, sot për një muzikant apo edhe më gjerë, tashmë është shndërruar në një prej bisedave më të zakonshme. “Unë e kam marrë atë investim të madh që kam bërë përgjatë gjithë jetës sime. Kam punuar për tetë vjet në orkestrën e Teatrit të Operës, më pas si pedagog i violës në Akademinë e Arteve ku gjendem edhe sot. Por në atë kohë kishte pak më tepër vende pune, pasi subvencionohej pak më shumë mbi artin dhe kulturën apo nëse nuk do të gjeje një vend të lirë në Tiranë, ishte e sigurt një punë nëpër rrethe. Pra, në njëfarë mënyre, puna ishte e garantuar. Kurse sot, një punë e tillë nuk bëhet fjalë, s’ka hapësira të lira. Po ashtu mund të shtoj se ky problem, në ditët tona nuk ka prekur vetëm studentët e Akademisë, por të gjitha degët e tjera që mbarojnë, nuk arrijnë të punësohen. Duhet shumë luftë dhe përpjekje për të “kapur” një vend pune dhe është një problem që ka goditur të gjithë botën, jo vetëm ne”, - thotë instrumentisti Arian Paço.
Dy ditë më parë bashkë me një tjetër pedagog keni dhënë një koncert në Akademinë e Arteve. Si lindi ideja?
Po, ky ishte një koncert që organizohej nga dy pedagogë, unë në violë bashkë me një kolegun tim, profesor Lorenc Radovani, i cili luante në violinë në kudër të aktivitetit tonë të përhershëm. Mendoj se çdo artist, pedagog-artist ka një lidhje shumë të fortë me skenën, koncertet, aktivitetet etj. Në këtë kuadër, ky ishte një koncert i menduar prej kohësh dhe është i rrallë në llojin e tij sepse luhej vetëm me instrumentet e sipërpërmendur pa orkestër. Në rastin konkret ky ishte një koncert që bëhej për herë të parë në Shqipëri, violë dhe violinë. Jemi përpjekur të sjellim një repertor që është luajtur për herë të parë në skenën tonë, dhe mendoj se ishin pjesë shumë interesante. Jemi mundur të japin më të mirën tonë.
Repertori ishte përzgjedhur bashkërisht apo ishte i sugjeruar?
Po, repertorin e kemi zgjedhur bashkërisht. Kemi kërkuar aq sa kemi pasur mundësi. Jemi mundur që me atë repertor që disponojmë për këtë gjini, pra të muzikës së dhomës, të përzgjedhim ato që na janë dukur më interesantet.
Si arrini t’i gjeni materialet, si në rastet e koncerteve, ashtu edhe kur ua sugjeroni studentëve, pasi ju jeni pedagog?
Çdo pedagog bën kërkime me shumë mënyra, si me miq, kolegë, duke blerë me anë të internetit etj., për veprat, për të gjetur repertorin e duhur për të. Në këtë mënyrë, nëse do të pyesni të gjithë pedagogët, për çfarë do lloj instrumenti qoftë ai, ka libra pafund për koncerte, sonata për muzikë por edhe materiale që kanë karakter didaktik që përdoret në shkolla, megjithëse nuk kanë ndonjë diferencë të madhe nga njëra tjetra. Kanë një lloj ndërthurje, por kur është fjala për koncerte, përpiqemi që të gjejmë ato vepra që janë më kapitale, më domethënëse. Një tjetër mënyrë që ne përdorim për gjetjen e këtyre materialeve është edhe duke i porositur nëpërmjet studentëve tanë që zhvillojnë aktivitetin e tyre artistik jashtë Shqipërisë, nëpër skena të ndryshme ndërkombëtare, ose edhe i blejmë me internet, apo deri diku edhe të dhuruara.
Sa vareni nga dhurimi i veprave?
Nuk mund të them “në varësi të dhurimeve”. Nëse flasim për violën, i cili është një instrument paksa specifik, mund të them se kam disa studentë të mi që punojnë dhe studiojnë jashtë shtetit dhe janë pikërisht ata që më ndihmojnë pasi dinë edhe vendet se ku t’i gjejnë. Unë akoma s’kam praktikuar blerjen në internet me kartë krediti, por gjithnjë kur kam dalë në shtete të tjera kam blerë shumë libra për veten time. Kështu, unë kam një bibliotekë shumë të madhe, si në shtëpi, ashtu edhe këtu në zyrën time, në Akademinë e Arteve. Po ashtu disponoj edhe shumë muzikë të incizuar të koncerteve të ndryshme, disqe etj., të cilat shërbejnë për orientimin e studentëve, ashtu siç mund të shërbejë një literaturë me një numër të caktuar librash për degët e tjera. Janë regjistrime të autorëve të mëdhenj, pra që ndihmojnë edhe në procesin e mësimit.
A mund të na tregoni diçka mbi incizimet tuaja, personale?
Në regjistrimet e mia bëjnë pjesë kujtimet e mia, bëjnë pjesë në arshivën time personale.
I ndani me studentët? A u shërbejnë leksioneve apo...?
Po, shpeshherë edhe i ndaj me studentët. Ndërkohë, që nuk ua kam dëftuar vetëm për leksione, por thjesht për t’i dëgjuar.
Cilat janë kujtimet më të bukura që ruani në këto regjistrime?
Viola është një instrument i njëjtë, ashtu si violina, violonçeli etj., kështu që në këtë kuptim nuk është se më ka lënë ndonjë kujtim të veçantë. Për mua si kujtime të veçanta do të përmendja koncertet që kam bërë, si i kam arritur, rrethanat e realizimit të tyre etj. Kanë kujtime që i mbart me vete çdo instrumentist, apo një artist të një tjetër drejtimi kur realizon një koncert.
Në raste të trishtuara apo të gëzuara ju gjendet më pranë viola?
Them se në të dyja rastet më është gjendur pranë ky instrument. Çdo instrumentist është marrë që në moshë të vogël me veglën e tij muzikore. Tashmë, edhe për mua kjo është bërë pjesë e jetës dhe e kam shumë të vështirë ta ndaj nga vetja. Në qoftë se vetëm një ditë nuk e praktikon, apo i kushton ndoshta shumë pak kohë më duket vetja sikur më mungon diçka shumë e rëndësishme. Më është bërë, pa dyshim, pjesë e trupit pasi në momentin që filloj të luaj me të e kuptoj që është pjesë e imja. Mendoj se kjo është një ndjesi që e kanë të gjithë instrumentistët. Ndërkohë që këtë instrument mund ta përdorësh edhe në varësi të gjendjes shpirtërore, si në momente të trishtuara, ashtu edhe të gëzuara. Kjo për shkak se momenti i interpretimit është një produkt shpirtëror, e në këtë mënyrë, është normale që gjendja shpirtërore jep një ndikim shumë të madh. Është shumë e domosdoshme që kjo lloj gjendje në çastin e interpretimit të reflektojë shumë pozitive në mënyrë që të japësh maksimumin, pra është ajo që ne e quajmë frymëzim.
Ju thatë që ky koncert ishte i pari në llojin e tij në Shqipëri. Çfarë përbënte risi për ju?
Unë mendoj se çdo interpretim në skenë sjell një risi, një eksperiencë për kolegët, studentët. Në këtë rrafsh çdo lloj koncerti nuk mund të venitet pa lënë gjurmë. Ndërkohë që për studentët është një mënyrë shumë e mirë e të mësuarit, pasi në tjetër formë vjen muzika e diskut, apo e radios, dhe në një tjetër trajtë vjen me anë të koncerteve, teksa je vete duke e shijuar, drejtpërdrejtë. Mendon që impresioni dhe kontakti është më direkt dhe emocioni që të krijon është më i veçantë. Pastaj mund të themi se është një promovim i vetes, i një repertori dhe një formati të ri siç është muzika e dhomës. Në rastin konkret në bashkëpunimin violinë dhe violë.
Roli i instrumentit sa perspektivë ju ka dhënë dhe vazhdon t’ju japë duke u nisur edhe nga përvoja juaj shumë vjeçare në këtë lloj tregu?
Nëse do të flasim për brezin e ri që mbaron këtë situatë nuk do ta shikoj edhe aq optimiste. Kjo për arsye se vendet e punës janë shumë të limituara, në një kohë që Akademia e Arteve po nxjerr shumë talente dhe instrumentistë shumë të mirë. Në kohët e sotme nuk mund ta mbash veten apo familjen me një koncert që mund të bëhet një herë në dy-tre muaj. Në këtë kuptim, institucionet artistike këtu tek ne dihet që janë vetëm dy, janë orkestra e Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, si dhe orkestra e Radio Tiranës, të cilat janë të mbushura dhe funksionojnë me kapacitete të plota. Po ashtu është vënë re se artistët që luajnë, në përgjithësi janë në moshë të re. E në këtë mënyrë, duket që për instrumentistët e rinj nuk ka ndonjë perspektivë të mirë. Mund të marr eksperiencën e vitit të kaluar, ku kam pasur dy studentet e mia ku njëra prej tyre për fat të keq mbaroi studimet shkëlqyeshëm dhe për shkak të mungesës së vendeve të punës momentalisht punon shitëse. E kjo për mua është shumë e trishtueshme. Studentja tjetër për fat të saj të mirë ka arritur të gjejë një vend pune, por pas një audicioni në Filarmoninë e Sarajevës, aty ku ndodhet aktualisht. Po jo të gjithë e kanë këtë fat.
Sot, po më thoni se është me tepër çështje fati?
Është çështje fati, por sigurisht që talenti është më i rëndësishëm. Unë po flas për atë kategori studentësh që janë të talentuar, por që nuk kanë se ku të shkojnë, nuk arrijnë të sigurojnë një vend pune, për atë shkollë që kanë mbaruar. Po kështu mund të përmend edhe rastin e një tjetër studenteje që mbaroi për violinë dhe pas një audicioni mundi të shkojë në Filarmoninë e Sarajevës apo edhe rasti një djali i cili sërish mbaroi vjet gjeti mundësinë për të shkuar në Francë për të thelluar studente e veta. Ai shkoi, por nuk u kthye më, ashtu siç kanë vepruar edhe shumë të tjerë si ai. Me pak fjalë, perspektiva për muzikantët nuk është shumë e kënaqshme.
Po për ju, si ka qenë konkretisht kjo perspektivë?
Unë e kam marrë atë investim të madh që kam bërë përgjatë gjithë jetës sime. Kam punuar për tetë vjet në orkestrën e teatrit të operës, më pas si pedagog i violës në Akademinë e Arteve ku gjendem edhe sot. Por në atë kohë kishte pak më tepër vende pune, pasi subvencionohej pak më shumë mbi artin dhe kulturën, apo nëse nuk do të gjeje një vend të lirë në Tiranë, ishte e sigurt një punë nëpër rrethe. Pra në njëfarë mënyre, puna ishte e garantuar. Kurse sot, një punë e tillë nuk bëhet fjalë, s’ka hapësira të lira. Po ashtu mund të shtoj se ky problem, në ditët tona nuk ka prekur vetëm studentët e akademisë, por të gjithë degët e tjera që mbarojnë, nuk arrijnë të punësohen. Duhet shumë luftë dhe përpjekje për të “kapur” një vend punë, dhe është një problem që ka goditur të gjithë botën, jo vetëm tek ne.
Studentët aktualë që studiojnë në Akademi, besoj janë në dijeni të këtij problemi? A e kanë shprehur ndonjëherë tentativën për dorëheqje?
Po, janë në dijeni të këtij problemi. E kemi diskutuar disa herë këtë çështje, por nuk mendoj se ata tërhiqen kaq lehtë. Kjo, për arsye se ata kanë investuar shumë vite për këtë shkollë për tetë vjet në shkollë fillore, tre apo katër vjet në lice dhe më pas në Akademinë e Arteve. Nuk mund të tërhiqesh kaq thjesht, nuk ka kthim mbrapa.
Çfarë u këshilloni ju studentëve?
Ajo çfarë u këshilloj unë vazhdimisht studentëve është duke u treguar se ata kanë shumë të drejta lidhur me perspektivën e tyre. Por për aq kohë sa janë në këtë institut, unë mundohem t’i bind ta bëjnë këtë punë mirë, me mundësitë që kanë.
Çfarë e lidh violën me violinën?
Janë një familje. Vijnë të dyja nga një familje harqesh, ku futen violina, viola, violonçeli etj., të cilat imitojnë zërat njerëzorë. Nëse violina do të ishte një soprano, viola do të ishte një alto. Kanë afërsisht mënyrën e ndërtimit të njëjtë, pavarësisht se violina ka përmasa pak më të mëdha. Në raport me violën dhe violinën zërat janë të ndryshëm. Për mua viola këndon me një regjistër më të lartë se violina, si ngjyrë dhe si zë. I afrohet më tepër zërit të njeriut, është më natyrale. E ndaj më ka tërhequr, megjithëse puna me instrumentin fillohet në një kohë kur nuk je në gjendja ta konceptosh se çfarë është muzika, e çfarë mund të jetë viola. Kanë qenë prindërit tanë që na kanë dhënë këtë drejtim që në vogëli. Shumë vonë bëhesh koshient për atë punë që po bën e kush jam unë në këtë treg pune.
Prindërit paskan marrë një vendim që në vogëlinë tënde, i falënderon apo më tepër u ke shprehur pakënaqësi?
Në këtë mënyrë si vijuan punët e mia i falënderoj, por unë vetë fëmijët e mi nuk mund t’i lejoj të ndjekin të njëjtën rrugë. I falënderoj sepse ne në përgjithësi kemi qenë një familje muzikantësh, jam nipi i Piktorit të Popullit Janaq Pasha. Xhaxhallarët e mi luanin në kitarë, fizarmonikë, pra kemi qenë një familje artistësh, si një dhunti e përmetarëve. Por, nëse jeta ime do të kishte marrë një tjetër drejtim nuk ua vë fajin, pasi në atë kohë, kur unë mbarova shkollën, puna ime sot ishte ndër profesionet më të preferuara. Kuptohet që lidhja me artin është diçka shumë bukur paçka se kërkon mund dhe sakrificë të jashtëzakonshme.