LSI: Të dyfishohen fondet për bujqësinë
Sekretari i LSI-së për Bujqësinë dhe Mjedisin, Edmond Panariti, tregoi dje prioritetet e kësaj force politike për sektorin e bujqësisë. Sipas tij, LSI do të këmbëngulë në dyfishimin e fondeve të buxhetit për bujqësinë si pjesë e programit të ardhshëm qeveritar. Gjithashtu LSI do të insistojë në përgjysmimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për të gjithë artikujt ushqimorë bazë, për të lehtësuar barrën e çmimeve për konsumatorët, do të kërkojë që të krijohen fonde të garancisë për nxitjen e kredisë agrare nga burime buxhetore si dhe përdorimin për këtë qëllim të granteve apo të burimeve alternative financiare. Ashtu siç kishte premtuar në Planin për Veprim, LSI në bashkëpunim me partnerët e koalicionit do të kërkojë që mbështetja financiare për fermerët të shkojë drejt prodhimit faktik bujqësor dhe blegtoral. “Lidhur me këtë ne mbështesim pagesat për fermerët për çdo kg mish, fruta, perime, si dhe për çdo litër qumësht të prodhuar dhe të dorëzuar në pikat e grumbullimit. Sfida jonë e përbashkët qeverisëse do të jetë lidhja e prodhimit vendas me tregun”, u shpreh Panariti. Sipas tij, LSI do të kërkojë ri-negocimin e pikave të veçanta të marrëveshjes së tregtisë së lirë, për të mbështetur praninë në treg të prodhimeve bujqësore të vendit. “LSI do të kërkojë konstituimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit si garant institucional i standardeve të cilësisë dhe sigurisë së ushqimeve. Vetëm një sistem kombëtar i sigurisë ushqimore, i cili funksionon sipas parimit nga ‘ferma në tavolinë’, garanton qëndrueshmëri dhe besueshmëri”, u shpreh Panariti.