BE, 4500 pyetje për Shqipërinë; përgjigjet, brenda 4 muajve
Brenda dy muajve Brukseli do të japë miratimin e plotë, në mënyrë që të fillojë procedurat për hartimin e pyetësorit të cilin duhet ta plotësojë qeveria shqiptare për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Ministria e Integrimit në bashkëpunim me GTZ-në organizuan dje, në ambientet e hotel “Tirana International”, një takim pune, që u përqendrua te sfidat me të cilat do të përballet administrata shqiptare, pas marrjes së pyetësorit të kandidimit nga Bashkimi Evropian. Por përveç aspekteve teknike, Brukseli është i vëmendshëm edhe ndaj situatës politike në vend, prandaj, ministrja e Integrimit, znj. Majlinda Bregu i bëri sërish dje thirrje opozitës që të rikthehet në Parlament. Mospjesëmarrja e opozitës në Parlament është përgjegjësi historike, për aq sa është përgjegjësi historike për këtë qeveri dhe për këtë mazhorancë që të drejtojë dhe përshpejtojë reformat për procesin integrues të Shqipërisë në BE. “T’u japim mundësi qytetarëve shqiptarë që të shkurtojnë me orë dhe me minuta procesin e liberalizimit të vizave për ta, po kaq është përgjegjësi e opozitës mospjesëmarrja e saj në Parlament”, - tha Bregu. Ministrja e Integrimit u shpreh optimiste se "brenda presidencës suedeze do të realizohet shqyrtimi i kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE". Pyetësori i kandidimit në BE pritet të përmbajë deri në 4500 pyetje dhe ka për qëllim vlerësimin e gatishmërisë së vendit për të ecur drejt fazave të tjera të procesit të anëtarësimit në BE. Duke vlerësuar rëndësinë e këtij procesi, ministrja Bregu informoi: "Në datën 1 nëntor do të fillojnë trajnimet për gjithë administratën publike nga një grup ekspertësh, të cilët do të jenë të pranishëm për të ndihmuar administratën në përballjen me këtë sfidë". Në këtë drejtim, ministrja Bregu prezantoi eksperten kroate, Dubravka Vlasic Plese, e cila do të ndihmojë Ministrinë e Integrimit në këtë proces. “Kroacia, - theksoi znj. Bregu, - është i vetmi vend në rajon që ka ecur më përpara në procesin e integrimit evropian, ndaj dhe eksperienca kroate nuk është zgjedhur rastësisht". “Ne, - vuri ajo në dukje, - kemi miratuar edhe një udhërrëfyes për mënyrën se si do të përballojmë këtë proces, dokument i cili është kthyer në një plan veprimi konkret për Ministrinë e Integrimit”. Pyetësori i KE-së është hapi i parë (jozyrtar) drejt procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai përcakton vijat e përgjithshme të zhvillimit të negociatave të mëtejshme për çdo kapitull të veçantë të Acquis Comunitare dhe çdo pasaktësi në këtë pyetësor do të ndikojë negativisht në negociatat e mëvonshme. Pas marrjes së pyetësorit, Shqipëria do të ketë në dispozicion një periudhë kohore prej 4-6 muajsh për të kthyer përgjigjet e kërkuara dhe në këtë proces pritet të përfshihen një numër i madh aktorësh institucionalë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe stafit akademik. Sipas ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, qeveria është krejtësisht e gatshme që të mirëpresë pyetësorin e Bashkimit Evropian, të Komisionit Evropian, pra mendimin nga Këshilli që do t’i kërkojë Komisionit përgatitjen e pyetësorit në çfarëdolloj momenti që të vijë. “Ne besojmë që ky moment të jetë sa më i shpejtë dhe të jetë një datë jo shumë e largët, pavarësisht të gjitha diskutimeve dhe duke vlerësuar vendimmarrjen e shteteve anëtare në Këshill dhe në Komisionin Evropian. Ne presim që Këshilli t’i kërkojë Komisionit Avi brenda Presidencës suedeze”, - theksoi znj. Bregu. Sipas ministres së Integrimit, qeveria shqiptare prej një viti po trajnon administratën e saj, e cila do të duhet t’i japë përgjigje pyetësorit të BE-së për të marrë statusin e vendit kandidat. Me tërheqjen e pyetësorit, qeveria shqiptare do të kërkojë vetëm katër muaj kohë për plotësimin e saj dhe më pas topi kalon sërish në fushën e Brukselit dhe pas vlerësimit të përgjigjeve, mbetet vetëm vendimi politik që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.