E Diel, 1 Nëntor 2026

PE “kompromis” me KE, Shqipëria hyn në listën “Shengen”



Iniciativa e deputetes sllovene Tanja Fajon gjen mbështetjen politike të Parlamentit Evropian duke bërë të mundur futjen e Shqipërisë në zonën “Shengen”. Amendimet e saj kërkojnë që Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina të hyjnë në “Shengeni”, çka do të thotë që qytetarët shqiptarë dhe ata boshnjakë të udhëtojnë pa viza që nga janari i vitit të ardhshëm, kohë kur do të nisin të udhëtojnë pa viza qytetarët e Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi. Ky vendim erdhi pas një konsensusi të arritur mes PE nga njëra anë dhe Komisionit Evropian nga ana tjetër, si pasojë e presioneve të dyanshme. Ndonëse në pamje të parë kjo nismë u duk e vështirë, ajo në fakt kaloi provën e saj të parë politike. Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme miratoi dje raportin e deputetes sllovene për liberalizimin e vizave për Ballkanin Perëndimor. Kështu, në këtë raport, i kërkohet Brukselit të vijojë më tej procesin, por të heqë vizat për Bosnje-Hercegovinën dhe Shqipërinë në janar të këtij viti dhe për të nisur një nismë të re për Kosovën.

Gjithsesi, ky raport me amendime do të kalojë për votim në Parlamentin Evropian në seancën e datës 12 nëntor. Në rast se PE e miraton këtë raport, atëherë ai do t’i kalojë Komisionit Evropian, i cili merr vendimin për liberalizimin e vizave.

Megjithatë, deputetët e Komitetit thanë se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina duhet të arrijnë reformat e nevojshme për t'u kualifikuar për një qëndrim të shkurtër për të hequr vizat, siç u bë me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi.

Deputetët e PE-së thanë më tej se Komisioni Evropian duhet të raportojë për progresin e të dy vendeve në fillim të 2010-s, si dhe të fillojë një dialog për vizat me Kosovën.

Deputetët shtuan se dialogu i liberalizimit të vizave duhet bërë i barabartë me të gjitha vendet në një pozitë të barabartë, pa asnjë diskriminim dhe se duhet të zbatohen kriteret e njëjta për të gjitha vendet e interesuara. Anëtarët e Komitetit thanë se të dyja vendet duhet të arrijnë standardet sa më shpejt të jetë e mundur. Deputetët e Komitetit kërkuan në veçanti të rritet më shumë numri i pasaportave biometrike dhe të forcohet më tej kontrolli i kufijve si dhe lufta kundër krimit, korrupsionit. Ata thanë se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina kishin bërë përparim të mëtejshëm që kur Komisioni Evropian publikoi vlerësimin e tij të fundit. Të dy vendet përkohësisht do të mbeten në listën e atyre vendeve që shtetasit sërish do të kërkojnë një vizë. Parlamenti Evropian tha më tej se Komisioni Evropian duhet të fillojë "dialogun e vizave" me Kosovën, në mënyrë që të krijojnë një plan për lehtësimin e vizave dhe liberalizimit të ngjashëm me ato të vendosura me vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, një deputet tha se që procesi i liberalizimit të vizave duhet të shërbejë si një referencë për përcaktimin e marrëdhënieve me partnerët lindorë dhe veçanërisht me Moldavinë, ku sipas tij, ka ndodhur një “ndryshim i rëndësishëm demokratik”. Tashmë pritet që ky projekt të kalojë seancë plenare të datës 12 nëntor dhe në rast se miratohet, ai do t’i kalojë Komisionit Evropian.

Balkenende, Berishës: Për integrimin ju njihni progres

Kryeministri i Holandës, Jan Peter Balkenende, përgëzon Shqipërinë për reformat e arritura dhe e nxit atë që të vazhdojë të njohë progres në procesin e integrimit evropian. Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, në një mesazh urimi dërguar homologut shqiptar, Sali Berisha, Kryeministri i Holandës, Jan Peter Balkenende, shprehet për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

"Unë pres me padurim të vazhdoj bashkëpunimin me ju, si në nivelin dypalësh, ashtu dhe në atë shumëpalësh. Kujtoj këtu bashkëpunimin tonë më kuptimplotë se asnjëherë tjetër, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Unë gjithashtu shpresoj që vendi juaj të vazhdojë të njohë progres në hapat drejt integrimit evropian", - përfundon mesazhi i Kryeministrit holandez.

Meta, vizitë dyditore në Itali me ftesë të Frattinit

Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u nis dje për një vizitë zyrtare në Itali. Ai është ftuar të qëndrojë në vendin fqinj këto dy ditë, i ftuar nga homologu i tij italian, Franco Frattini. Burimet zyrtare bëjnë me dijeni se gjatë bisedimeve në Ministrinë e Jashtme italiane, Meta dhe Frattini do të trajtojnë, me përparësi, ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe mes dy vendeve, emigracionin shqiptar në Itali, zhvillime të politikës rajonale, si dhe çështje që kanë të bëjnë me axhendën e integrimit evropian të Shqipërisë, veçanërisht procesin e liberalizimit të vizave. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta, do të zhvillojë, gjithashtu, një sërë takimesh me personalitete të larta të politikës italiane, si dhe me ambasadorë të vendeve të akredituar në vendin tonë, me rezidencë në Romë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›