E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Aplikimi për statusin, kërkesa e Shqipërisë merr përgjigje brenda vitit

Aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian do të marrë përgjigje brenda vitit 2009. Kjo është ajo çka pritet të ndodhë dhe që u lajmërua dje nga Kryeministri suedez dhe ministri i Jashtëm italian. Kryeministri suedez, Frederik Rainfeld, ka pranuar se brenda familjes europiane ka diskutime lidhur me zgjerimin. Rainfeld është optimist se gjatë këtij viti do t‘i jepet përgjigje kërkesës së Shqipërisë dhe do të hapen negociatat për anëtarësimin e Kroacisë. Ai shprehet se nuk ka pengesa që kjo të bëhet e mundur. Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, jep garanci se Italia do të vazhdojë të jetë një avokate e fortë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit europian, ndërsa shton se kërkesa e vendit tonë është e mundur që të shqyrtohet brenda një kohe të shkurtër.

"Politikisht, vendet anëtare të BE-së kanë dhënë miratimin e tyre edhe për liberalizimin e vizave, tha Fratini, por mbeten përgjigje për disa çështje teknike, për të cilat besoj se Shqipëria do t‘i përgjigjet së shpejti dhe shpresoj të përkthehen në rezultate konkrete para fundit të vitit". Pak ditë më parë përfaqësuesja e Presidencës Suedeze të BE-së, Anna Craenen, nënvizoi se liberalizimi i vizave do të bëhet në momentin që Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria do të përmbushin kushtet, duke ndjekur më pas procedurën aktuale. Presidenca Europiane, gjithsesi, vlerësoi sikundër dhe Parlamenti, se kosovarëve u duhet dhënë një mesazh i qartë për lëvizjen e lirë në të ardhmen, megjithëse me Kosovën, Bashkimi Europian nuk ka ende në fuqi as marrëveshje për lehtësimin e vizave. "Bosnja dhe Shqipëria do t‘i bashkëngjiten kur të kenë përmbushur kushtet e kërkuara. Është e rëndësishme po ashtu që Kosovës t‘i jepet një perspektivë europiane për lëvizje të lirë në të ardhmen", tha Creanen. Përfaqësuesja e përhershme e Suedisë pranë Bashkimit Europian shpreson që aplikimi i kandidaturës së Shqipërisë të shqyrtohet sa më shpejt në mënyrë që komisioni të mund të nisë përpilimin e opinionit. "Ne llogarisim që të mund t‘i dërgojmë komisionit aplikimin e Shqipërisë së shpejti për të dhënë opinionin e tij tashmë që procedurat zgjedhore kanë përfunduar", thotë Creanen. Deklaratat mbi ecurinë e vendeve të Ballkanit, përfaqësuesja e presidencës suedeze të BE-së i dha gjatë takimit të parë të komitetit të përbashkët konsultativ të shoqërisë civile mes Bashkimit Europian dhe Maqedonisë. Disa ditë më parë, Parlamenti Europian vlerësoi se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina duhet t‘u bashkëngjiten propozimit të Komisionit për Liberalizimin e Vizave me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Drafti i përpiluar për këtë çështje, ku raportuese ishte eurodeputetja e re sllovene, Tanja Fajon, argumentonte se sipas vlerësimit të Komisionit në maj 2009, këto dy vende kanë bërë progres të rëndësishëm e domethënës ndaj duhet t‘i përkasin të njëjtit propozim. "Mendoj se është shumë e rëndësishme që t‘u dërgohet një mesazh i fortë dhe qytetarëve të Shqipërisë e Bosnjë-Hercegovinës. Unë nuk jam dakord që komisioni i la këto dy vende jashtë propozimit", u shpreh Fajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›