E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule: Berisha, përgjegjës i sherreve në "Omonia"

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ia faturon Kryeministrit Sali Berisha përgjegjësinë e debateve dhe incidenteve më të fundit në organizatën minoritare "Omonia". "Njerëz të mbështetur nga Sali Berisha kanë zaptuar në mënyrë antiligjore selinë qendrore të "Omonia"-s, tha Dule. Akuzat e kryetarit të PBDNJ-së ndaj kreut të PD-së ishin të drejtpërdrejta dhe duket se këto zhvillime janë pjesë e zbulimit të arsyeve pse Vangjel Dule nuk pranoi ftesën e Partisë Demokratike për të tradhtuar koalicionin e majtë dhe për t‘iu bashkuar qeverisjes. "Kur dikush vendos që ta bëjë veten qesharak nuk kemi mundësi ne që ta ndalojmë këtë gjë. Shpërthejnë zyrat e ‘Omonia‘-s, dhunojnë zyrën e kryetarit dhe bëjnë deklarata duke ‘rrëmbyer‘ në mendjen e tyre poste drejtuese", theksoi Dule. Ai i vetmi deputet që përfaqëson PBDNJ-në në Kuvend, ai ka treguar edhe mënyrën sesi Kryeministri Berisha është përfshirë dhe interferuar ashtu siç pretendon Vangjel Dule në debatet e brendshme të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe organizatës "Omonia". Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut shtoi se "janë pesë emërime me dorën e Kryeministrit, lënë gjurmë të cilat të çojnë në derën e Kryeministrisë. Zoti Kryeministër emëron njerëz të cilët dinë të përdorin shula e kaçavida? Çfarë do na përdorin nesër?". Pak ditë më parë një grup i anëtarësisë së ‘Omonia‘-s kërkoi nëpërmjet një deklarate për mediat dorëheqjen e kryetarit të kësaj organizate, Vasil Bollano, ndërsa kryetarit të PBDNJ-së, Dule, iu kërkua dorëzimi i mandatit të deputetit. Kryetari i PBDNJ-së i shkëputi marrëdhëniet me Kryeministrin Berisha disa ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Pozicionimi i partisë së Vangjel Dules në kampin e majtë solli edhe largimin e kësaj partie nga qeveria ‘Berisha‘. Ndërtimi i koalicioneve paszgjedhore çoi në ftesën e PD-së për Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila u refuzua nga Vangjel Dule për të qëndruar për herë të parë në opozitë në sallën e Kuvendit.

E.Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›