BE, Berishës dhe Ramës: Bëni marrëveshje
Liderët e Shqipërisë duhet të pranojnë të bisedojnë edhe në rastet e mosmarrëveshjeve, nëse dëshirojnë t‘i bashkohen traditës së Brukselit. Këtë mesazh dha Presidenca suedeze në emër të 27 vendeve anëtare, duke qartësuar konkluzionet e Këshillit Europian për Çështjet e Përgjithshme mbi Shqipërinë. I pyetur se ç‘kuptim ka përsëritja e mesazhit për një dialog konstruktiv politik, kur partitë kryesore mbajnë qëndrime ekstreme duke ashpërsuar gjuhën ndaj njëra-tjetrës, ministri Karl Bildt u përgjigj se politikanët shqiptarë duhet të ulen në tryezë që të arrijnë marrëveshje mbi mosmarrëveshjet, nëse duan ta integrojnë vendin në Bashkimin Europian. "Për sa i takon gjendjes së dialogut politik në Shqipëri, situata është e errët për momentin. Unë do t‘u bëja apel liderëve në Shqipëri që të pranojnë se për ta çuar këtë vend përpara, ata duhet të ulen. Mund të mos bien dakord ndonjëherë, por duhet marrëveshje për ta çuar vendin përpara. Dhe këtë mesazh mendoj se e gjeni në këto konkluzione, mesazhin që nëse ata duan të vijnë në Bruksel, nëse ata duan të jenë pjesë e Europës, Europa ka dialog mes liderëve politike, edhe në raste mosmarrëveshjesh. Ne shpresojmë se Shqipëria do t‘i bashkëngjitet kësaj tradite sa më shpejt të jetë e mundur", ka deklaruar Bildt.
Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, në ditën e dytë të bisedimeve lëshoi deklaratën zyrtare për Ballkanin Perëndimor. Në konkluzionet për Shqipërinë thuhej se "këshilli mirëpret progresin e arritur në disa fusha, në veçanti në reformën elektorale dhe në implementimin e MSA-së. "Zgjedhjet parlamentare plotësuan pjesën më të madhe të standardeve ndërkombëtare, por mbeten sërish disa çështje për t‘u trajtuar në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it", thuhet në deklaratë.
"Forcimi i shtetit ligjor, lufta ndaj krimit të organizuar, mirëfunksionimi i institucioneve, në veçanti pavarësia e gjyqësorit, mbeten çështjet kyçe që kërkohet të adresohen urgjentisht. Më shumë përpjekje duhen bërë për të garantuar lirinë e medias. Këshilli nënvizon se Shqipëria ka shënuar progres në plotësimin e detyrave në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave", thuhet në konkluzione. Këshilli inkurajon Shqipërinë që të vazhdojë rolin e saj stabilizues në rajon. BE-ja u kërkon partive politike në Shqipëri që të vendosin një dialog konstruktiv, përfshirë Parlamentin. Këshilli rikonfirmon mbështetjen për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, çka përbën esencën e stabilitetit në rajon. Në deklaratën e konkluzioneve thuhet se duke bërë një progres solid në reformat ekonomike dhe politike ashtu sikurse duke përmbushur detyrimet në kuadër të MSA-së, kandidatët potencialë në Ballkanin Perëndimor do të marrin statusin zyrtar të kandidatit bazuar mbi meritat e tyre.
D.M.