Ferrara: Bajern, një finale
"Është një finale, dua të rishoh skuadrën, e cila ka mundur Interin". Çiro Ferrara prezanton kështu sfidën e Champions League, që Juventusi i tij do të luajë sot kundër Bajernit të Mynihut. Në "Olimpiko" të Torinos është në lojë ende vendi i dytë i Grupit A dhe kualifikimi për në 1/8. Juve, e cila ka një pikë më shumë se gjermanët, mundet të kënaqet edhe me një barazim. "Do të luajmë për kalimin e turit, ka shumë aspekte të rëndësishme për skuadrën dhe klubin. Është një finale edhe për Bajernin, të dyja skuadrat do të japin gjithçka dhe një nga dy ekipet do të dalë fituese", thotë Ferrara. Trajneri i bardhezinjve nuk pret një Bajern agresiv që nga minuta e parë. "Është një skuadër e madhe, e ambientuar të luajë në nivele vendimtare. Do të kërkojë të mbajë ekuilibrin dhe do të provojë të na ndëshkojë kur t‘i jepet rasti", thotë Ferrara. "Pres që Bajerni të luajë me Robenin që nga minuta e parë, nënvizon tekniku bardhezi, duke iu referuar holandezit të frikshëm. Ka kaluar problemin fizik dhe është në formë". Kielini do të mungojë ndaj Bajernit të Mynihut. Mbrojtësi bardhezi, i cili shënoi ndaj Interit, dje nuk është stërvitur, për shkak se rezulton i dëmtuar në kofshë. Do të provojë të rikuperohet për transfertën e kampionatit italian ndaj Barit për të shtunën në mbrëmje. Në vendin e tij, kundër gjermanëve, në një ndeshje në të cilën Juventus do të duhet të paktën të synojë barazimin për të fituar kualifikimin për në fazën e eliminatoreve direkte, do të luajë Legrotalje, i cili do të formojë dyshen e qendrës së mbrojtjes së bashku me Kanavaron.