E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, Faith: Berisha, kontribut në zhvillimin e vendit

Përfaqësuesi i BE-së dhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Peter Faith, vlerëson kontributin e Kryeministrit Sali Berisha në zhvillimin e Shqipërisë dhe shprehet se është shumë i rëndësishëm fakti se Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol stabilizues në rajon. Gjatë takimit të djeshëm me Kryeministrin Berisha, z. Faith përgëzoi për projektet madhore të realizuara në vend, me impakt të rëndësishëm, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, si në rastin e rrugës Durrës - Kukës. Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, z. Peter Faith, u shpreh i impresionuar për ndryshimet e bëra në Shqipëri, që nga vizita e tij e fundit në vendin tonë. Shefi i Zyrës Civile dhe Ndërkombëtare, z. Peter Faith, u shpreh se nga dita në ditë, Kosova po zhvillohet, institucionet e saj po konsolidohen dhe se po punohet për njohjen e pavarësisë, për stabilitetin dhe progresin e vazhdueshëm te vendit. Në këtë kontekst, z. Faith theksoi se Zyra Civile Ndërkombëtare po punon ngushtësisht në përkrahje të institucioneve kosovare, në drejtimin të afrimit të Kosovës drejt BE-së. Gjithashtu, zoti Faith u shpreh se Zyra Ndërkombëtare Civile është duke punuar për njohjen më të madhe të Kosovës, për pranimin e saj në institucionet ndërkombëtare dhe konsolidimin e Kosovës si shtet i pavarur. Kryeministri theksoi se tashmë u vërtetua se pavarësia e Kosovës ishte shumë e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin ne Ballkan. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se Kosova duhet të punojë në vazhdimësi për njohjen e pavarësisë, edhe pse tashmë pavarësia është e pakthyeshme. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Kosova, me progresin e bërë, e ka të hapur perspektivën drejt Bashkimit Evropian dhe integrimin e saj, në strukturat euroatlantike. Kurse gjatë takimit me Presidentin Bamir Topi, Peter Feith theksoi se Kosova pret shumë nga Shqipëria në fushën ekonomike, sepse rruga që lidh dy vendet fqinje, është një investim i rëndësishëm historik. Të njëjtat çështje, z. Faith i diskutoi dje edhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe ministrin e Jashtëm, z. Ilir Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›