E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, Fule: S’ka vend për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë

30-04-2012 / Gazeta 55

Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin, Stefan Fyle, ka thënë të hënën në Bruksel se nuk ka vend për zhvillimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, dhe se këtë qëndrim, që ai e kishte shprehur edhe më parë, e mban edhe sot. Por, Fyle ka thënë se për ata në Kosovë, të cilët kanë të drejtë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, duhet të gjenden mundësitë që t’u jepet rasti  të votojnë në këto zgjedhje, transmeton REL.
Stefan Fyle i ka bërë këto komente duke folur në një konferencë në Bruksel, kushtuar bashkëpunimit rajonal në territorin e Ballkanit dhe të ardhmen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Pasi tema ka qenë bashkëpunimi rajonal, shumica e folësve kanë përmendur edhe marrëveshjen e fundit të arritur në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, dhe kanë shprehur keqardhje që marrëveshja e arritur është interpretuar në mënyrë të ndryshme dhe nuk po zbatohet.
Komisioneri Fyle ka thënë se i vjen keq që Serbia dhe Kosova kanë filluar ta interpretojnë në mënyrë të ndryshme këtë marrëveshje, çka ka rezultuar me moszbatimin e duhur të saj.
Ai ka thënë se pret si nga Serbia, ashtu edhe nga Kosova që pas zgjedhjeve në Serbi të gjejnë mënyrë pragmatike për zbatuar këtë marrëveshje, në mënyrë që të mundësohet bashkëpunimi rajonal pa u penguar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›