Fokus/Vota në zarfe, debat për zgjedhjen e presidentit
Aleatët republikanë të mazhorancës, votimin me zarf për presidentin të kërkuar nga socialistët, e shohin jo vetëm të zbatueshëm për këtë rast, por edhe për zgjedhjet parlamentare.
Kryetari i sekretariatit të votimit ne legjislaturën e kaluar, ai i cili shpalli Bamir Topin president, Arian Madhi, deklaron se deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i vjedhjes së votave në votimin e fshehtë, por formati i socialistëve mund të japë më shumë garanci. “Unë nuk jam ballafaquar me një praktikë të tillë se si do të mund të manipulohej në një kuvend, ku besoj se përgjegjshmëria është në nivelin më të lartë, kontrolli është në nivelin më të lartë por gjithsesi, nqs njerëzit kanë një obsesion. Forma që propozojnë nuk është e ndaluar, ka eksperienca të tilla. Për hir të së vërtetës, Partia Republikane dikur ka pas iniciuar një proces për të ndërgjegjësuar faktorin politik që dhe zgjedhjet parlamentare të bëheshin me zarf, sepse siguron fshehtësinë e votës”, thotë Madhi.
Por juristi Sokol Hazizaj shkrehet se skepticizmi drastik mes dy forcave kryesore, e bën këtë format votimi, jo shumë të zbatueshëm në kushtet shqiptare. “Rregullorja e Kuvendit i ka formatuar këto për shkak të frymës së polarizuar, drastike, ekstreme midis dy kampeve politike; formatojnë mënyra të tjera votimi të fshehta duke e fshehur edhe fletën e votimit, kjo është çështje e një votimi tjetër të fshehtë, për mënyrën e votimit. Nuk e di se sa do ta bindë politikën edhe një votim i tillë. Me çfarë shikoj, paragjykimi i kalon kufijtë e besimit”, tha ai.
Demokratët kanë bërë të qartë se do ta pranojnë një format të tillë votimi vetëm nëse atë e zbaton parlamenti europian, por në rregulloren e këtij të fundit nuk është gjendur e shkruar një praktikë e tillë.