Berisha: Mbështetja e SHBA-së për procesin e integrimit dhe miratimin e reformave

"Sekretarja Klinton shprehu mbështetjen e saj për luftën kundër korrupsionit dhe heqjen e imunitetit të zyrtarëve"
UPDATE- Kryeministri Sali Berisha informoi sot grupin parlamentar të Partisë Demokratike, lidhur me vizitën e tij të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kreu i qeverisë veçoi se në të gjitha takimet që pati, mori mbështetjen e SHBA-ve në procesin e integrimit dhe zhvillimit të Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij Berisha u ndal te takimi me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. Ky takim nënvizoi Berisha shërbeu si një shans për të siguruar mbështetjen e SHBA për të ndihmuar vendin tonë në rrugën e integrimit, në rrugën e konsolidimit të demokracisë. “Me sekretaren e shtetit Klinton diskutuam gjerësisht për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në të gjitha fushat. Së pari ishte një rast i veçantë për të shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë mbështetjes që SHBA-ja i jep Shqipërisë në përpjekjet për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor. Ajo ç’ka SHBA-të presin nga ne, është konsolidimi i vlerave, që dy vendet dhe kombet ndajnë së bashku”- theksoi Berisha. Ai shtoi gjithashtu se në takim u diskutua për luftën kundër korrupsionit, heqjen e imuniteteve, klimën politike në vend, integrimin e vendit në BE, dhe shumë fusha të tjera. “Lufta kundër korrupsionit dhe heqja e imunitetit në mënyrë që të ketë barazi para ligjit dhe përgjegjësi para ligjit në mënyrë të barabartë. Ka një gatishmëri të madhe për të na ndihmuar në luftën kundër korrupsionit, pasi suksesi i projekteve të financuara nga taksapaguesit amerikanë deri më sot kanë bërë të mundur hapjen e një kapitulli të ri për Shqipërinë në këtë luftë siç janë “one stop shop”, taksa elektronike, etj. Një gatishmëri e plotë, gjykata administrative, të cilën komisioni i ligjeve e miratoi dhe shumë projekte të tjera të rëndësishme”- deklaroi Berisha. Ndër të tjera, kryeministri tha se në takim u diskutua edhe për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. “Në takim u vu theksi tek përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE dhe sekretarja Klinton theksoi domosdoshmërinë e plotësimit të kërkesave të BE-së në mënyrë që të bëhet i mundur vendimi që presin mbarë shqiptarët anëtarësimi në BE”- theksoi Berisha ndërsa shtoi se SHBA-të janë të gatshme të ndihmojnë në fushën e energjisë, arsimit dhe në çdo fushë tjetër. Kreu i qeverisë ka theksuar më tej se mbresëlënëse për të ka qenë vizita në muzeun memorial të Holokaustit, ku është njohur me “Holocaust Memorial Museum”, Uashington DC. Berisha shtoi se aty është njohur me dëshmitë e hebrenjve që jetojnë në SHBA. Për këtë çështje Berisha tha se edhe Shqipëria, duhet të ndërtojë bordin kundër torturave dhe barbarive.
...