E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Greqia të ulë pagën minimale

Bashkimi Europian i kërkon Greqisë të ulë pagën minimale, e cila është më e larta në raport me atë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me të njëjtin nivel jetese. Kërkesa është bërë sot nga Matthias Mors, përfaqësues i Komisionit Europian dhe në krye të trojkës. "Situata ekonomike në Greqi është më e rëndë se ajo e vendeve anëtare të BE-së, ndërsa paga minimale është më e lartë në raport me vendet anëtare me të njëjtin nivel ekonomik dhe partnerët socialë duhet të shqyrtojnë nëse kjo është një pengesë për krijimin e vendeve të reja të punës'', - theksoi Mors në një intervistë për të përditshmen greke ''Kathimerini''. Paga minimale në Greqi, që arrin në 750 euro, është më e lartë se në Spanjë, Portugali apo në Poloni dhe se në vendet e Evropës Lindore, anëtare të Bashkimit Europian. Papunësia në Greqi ka arritur në më shumë se 16 për qind të popullsisë aktive.

Mors theksoi se ''qëndrueshmëria e borxhit grek varet nga zhvillimet ekonomike, monitorimi i politikës për normalizimin e financave publike dhe përshpejtimin e reformave''.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›