E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaka: Ulja e tarifave nga Bashkia, nxitje për biznesin

Heqja e rreth 60 taksave dhe tarifave vendore nga Bashkia e Tiranës, krijon një klimë të favorshme për zhvillimin e biznesit. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka u shpreh në një komunikim me median, se vendimi i fundit i Këshillit Bashkiak është sinjal pozitiv për një klimë miqësore ndaj biznesit. Jaka u shpreh se, në të ardhmen do të bashkëpunojnë më afër me administratën e Bashkisë për të gjitha shqetësimet që ka biznesi. Ulja e taksave nxit nisma të reja dhe sipërmarrje të reja qytetase. “E ndoqëm me vëmendje dje mbledhjen e këshillit bashkiak, parlamentin e vogël, por që ka rëndësi shumë të madhe për metropolin tonë. Shpresojmë e urojmë që të gjejë miratimin dhe konsensusin e të gjithë anëtarëve të këtij parlamenti të vogël për të ndikuar pozitivisht me nisma të reja dhe në optimizmin e qytetarëve të kryeqytetit”, - tha Jaka. Ai shtoi se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, bashkë me grupet e interesit, brenda datës 20 tetor do të paraqesë kërkesat e saj lidhur me procesin e hipotekimit dhe se si mund të kryhet ai në një kohë të shpejtë dhe frytdhënëse. Sipas tij, eliminimi dhe reduktimi i 60 taksave e tarifave vendore jep edhe sinjal pozitiv për një klimë miqësore ndaj biznesit, një Tiranë të hapur për biznesin për ndërmarrjen e sipërmarrjen e lirë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›