E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-Greqisë: Zbato paktin ose jashtë nga Euro

Bashkimi Europian, foto arkivi

Përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, kanë kërkuar nga Greqia, që edhe pas zgjedhjeve të së dielës të respektojë marrëveshjet e arritura me Bashkimin Evropian në lidhje me pakon e shpëtimit dhe masat shtrënguese të kursimit.

Greqia duhet të respektojë marrëveshjen, ashtu sikurse këtë duhet ta bëjnë edhe shtetet tjera. Çështja e kredibilitetit nuk ka të bëjë vetëm me Greqinë, por me tërë eurozonën. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se nëse kjo marrëveshje nuk respektohet, kjo do të jetë shumë negative për Greqinë, ka thënë presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso.

Në forumin Evropa, të mbajtur për nder të Ditës së Evropës në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompei, tha se nacionalizmi nuk është përgjigja e duhur ndaj krizës në Greqi.

Popullizmi dhe nacionalizmi nuk janë përgjigje të duhura për çështjet që aktualisht janë në rrezik. Ata që deklarojnë se një vend, që merr rrugën e izolimit, mund të jetë i suksesshëm, jo vetëm që po krijojnë iluzion, por edhe gënjejnë, tha Rompei.

Partitë greke që deri tani kanë qenë në pushtet dhe që mbështesin masat shtrënguese të kursimit, kanë pësuar humbje të thellë, ndërkohë, që negociatat për koalicionin e ri qeverisës kanë ngecur. /Evropa e lire/

Përgatiti: E.L

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›