E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, Harxhi - Mantica: Strategjia e përshpejtimit integrues

Në kuadër të nismave rajonale nënsekretari italian i Punëve të Jashtme, senatori Alfredo Mantica, dhe zëvendësministrja e Jashtme, Edit Harxhi, diskutuan dje për organizimin e takimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Nismës së Adriatikut dhe Jonit (NAJ), që do të zhvillohet më datë 5 maj 2010, në Ankona të Italisë. Në këtë ministerial, pritet rilançimi i Nismës Adriatiko-Joniane dhe pritet të shprehet mbështetja politike për Projektin e Strategjisë Evropiane të makro-rajonit Adriatiko-Jonian. Dy palët shprehën bindjen se rivitalizimi i kësaj nisme me një strategji konkrete të bashkëpunimit mes 8 vendeve anëtare, tri prej të cilave janë anëtare të BE-së, do të lehtësojë procesin e integrimit evropian të vendeve të tjera joanëtare. Në përfundim të takimit, z. Mantica e informoi znj. Harxhi për nismën e fundit të ministrit Frattini, i cili, së bashku me disa ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, ka kërkuar nga Komisioni Evropian përmbylljen sa më të shpejtë të procedurave të liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Znj. Harxhi, nga ana e saj, në emër të qeverisë shqiptare, e falënderoi z. Mantica për mbështetjen e fuqishme të Italisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›