Meta : Zgjidhja, opozita t'i drejtohet Komisionit të Venecias
Zv.kryeministri Ilir Meta është deklaruar dje rreth ngërçit politik në vend, duke ofruar sërish edhe një kornizë për zgjidhjen e tij. Në një prononcim për shtyp nga Brukseli z. Meta tha: Natyrisht që ka një problem dhe ne nuk kemi asnjë arsye për ta fshehur apo për ta shmangur atë. Përkundrazi, kemi gjithë vullnetin për ta zgjidhur në mënyrë konstruktive. Më tej Meta shpjegoi: Për çështjen e hapjes së kutive, për të cilat nuk ekziston një marrëveshje për shkak të qëndrimeve të ndryshme lidhur me atë të pajtimit apo jo me Kushtetutën, ne e kemi bërë të qartë që rruga e vetme për ta zgjidhur këtë çështje është që opozita ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të respektojë vullnetin e Gjykatës, ashtu sikurse kemi qenë të hapur dhe e kemi bërë të ditur se ne do të nxisim që opozita ti drejtohet edhe Komisionit të Venecias. Kjo është e njëjta kornizë zgjidhjeje që z. Meta do të paraqesë gjatë ditës së mërkurë në takimet me komisionerin Fule dhe me eurodeputetët. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, ndodhet në Bruksel dhe dje ka folur për situatën në Shqipëri në Qendrën Evropiane të Politikave në Bruksel. Gjatë një aktiviteti të organizuar nga kjo qendër për "Sukseset dhe sfidat e Shqipërisë" në integrimin evropian, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, bëri një panoramë të reformave të integrimit të kryera deri tani nga qeveria shqiptare.