E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarët e Gjykatës, PD: Votimi me 71 vota

Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese nuk do të krijojë asnjë ngërç në këto institucione, pasi votimi i tyre do të bëhet me shumicë të thjeshtë, atë të 71 votave dhe jo me 3/5 e votave. Në këtë rast, opozita nuk do të mund të bllokojë këtë proces zgjedhjeje, pasi mazhoranca i ka numrat e duhur, pavarësisht se PS-ja e ka detyrim ligjor që të bëhet pjesë e procedurave. Për aq kohë sa Presidenti zgjidhet me 71 vota, nuk mund të pretendohet që anëtarët e gjykatave të zgjidhen me 84. Ky është shpjegimi që demokratët i bëjnë kërkesës së Partisë Socialiste për të ndërhyrë në Kushtetutë dhe për të shtuar votat që nevojiten për të miratuar anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Demokratët përmes deputetit Fatos Beja kërkojnë mbrojtjen e Kushtetutës, ndërsa ftojnë opozitën të bëhet pjesë e reformave në Kuvend, duke dhënë votat gjatë zgjedhjes së anëtarëve të rinj të institucioneve të pavarura. "Të mbrohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe ky është mendim i çdo deputeti, i çdo njeriu që respekton Kushtetutën, ligjin, funksionimin e institucioneve. Një propozim që është në kundërvënie me nenin 81 të Kushtetutës, si presion për të marrë pjesë në Parlament absolutisht nuk mund të gjejë një mbështetje", - tha Fatos Beja. Megjithatë, deputeti demokrat u kërkon socialistëve të përdorin kartonët e tyre në këtë votim. "Pjesëmarrja e opozitës në Parlament është detyrë e saj, rrjedh nga Kushtetuta, duhet të vijë aty, të mbrojë ligjet që ajo mendon që janë të mira për vendin ose të kundërshtojë ligjet. Por nuk mund të vësh kusht që unë vij në Parlament në qoftë se ti më jep mua gjëra të cilat nuk mi jep Kushtetuta", - deklaroi z. Beja anëtar i Komisionit të Ligjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›