E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëvendësimi i gjyqtarëve, Topi: Me rëndësi kushtetuese

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e konsideron me rëndësi kushtetuese zgjedhjen e anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Z. Topi reagoi dje ndaj deklaratës së PS-së rreth kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi kushtetues. Kreu i shtetit priti dje kryetarin e Gjykatës së Lartë të Kroacisë, Branko Hrvatin, ku gjatë bisedës u ndal te procesi i reformimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Presidenti Topi vuri në dukje sfidat me të cilat ky sistem përballet me qëllim konsolidimin e pavarësisë së tij dhe rritjes së profesionalizmit. Në këtë drejtim, kreu i shtetit nënvizoi "rëndësinë e jashtëzakonshme të procesit kushtetues të zëvendësimit të katër anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjashtë anëtarëve të asaj Kushtetuese". Në bisedën me Hrvatin, Presidenti Topi kërkoi dje që institucionet e drejtësisë të sigurojnë integritet dhe profesionalizëm në dhënien e drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor të jetë i paanshëm, duke iu larguar përfundimisht ndikimeve të çfarëdolloj natyre. Ai kërkoi që institucionet e drejtësisë dhe i gjithë sistemi gjyqësor të zbatojë parimet e shtetit të së drejtës sipas standardeve më të larta evropiane. Për sa u përket marrëdhënieve mes dy vendeve, Presidenti Topi vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave të vyera mes institucioneve të ndryshme të drejtësisë. Nga ana e tij, kryetari i Gjykatës së Lartë të Kroacisë nënvizoi rolin dhe angazhimin e Presidentit Topi e, njëkohësisht, dhe kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në mbrojtjen dhe konsolidimin të pushtetit gjyqësor. Dy ditë më parë, PS-ja i kërkoi Presidentit transparencë për kandidaturat. Deputeti Fatmir Xhafaj shprehu interesin e posaçëm të Partisë Socialiste lidhur me procesin për përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Xhafaj theksoi se Partia Socialiste e konsideron shumë të rëndësishme që ky proces konsultimi të jetë real, transparent dhe efektiv si dhe faktin që vlerëson të dobishme nismën e Presidentit të Republikës për konsultime për standardet e përzgjedhjes dhe kriteret e nevojshme që duhet të përmbushen nga kandidatët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›