E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Kufizoni imunitetin e gjyqtarëve

12-11-2011 / Gazeta 55

Imuniteti, mazhoranca: Të gatshëm të gjejmë zgjidhjen përfundimtare

Ministri Genc Pollo u shpreh dje gjatë takimit të Grupit Drejtues të Projektit Kundër Korrupsionit në Shqipëri, se shumica parlamentare është e gatshme të kufizojë imunitetin e deputetëve dhe gjyqtarëve. Sipas Pollos, mjetet apo rrugët ligjore për arritjen e këtij rezultati mund të ndryshme nga ndryshimi i Kushtetutës e deri te miratimi i një ligji me shumicë të cilësuar.
“Në lidhje me çështjen e shumëpërfolur të imuniteteve, aktivitetet e projektit PACA, tryezat e rrumbullakëta të muajve prill dhe tetor 2011, kanë qenë një hap i suksesshëm, të paktën për sa i përket mbledhjes së të gjithë aktorëve të interesuar, për të debatuar haptazi dhe për të shprehur qëndrimet e tyre mbi këtë çështje tepër delikate. Përfaqësues të të tre pushteteve (legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori), përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës u shprehën se, imunitetet, si të zyrtarëve të lartë dhe të gjyqtarëve, duhen limituar. Mjetet apo rrugët ligjore për arritjen e këtij rezultati mund të jenë të ndryshme: ndryshime kushtetuese apo miratim ligji me 3/5-at e votave. Nga ana ime gjej rastin të theksoj angazhimin e Qeverisë shqiptare se jemi të gatshëm për të gjetur një zgjidhje optimale dhe përfundimtare për çështjen e imuniteteve, përfshi edhe ndryshimet kushtetuese, nëse opozita nuk lidh mbështetjen për to me kushtëzime ekstra”, u shpreh Pollo.
Në fjalën e tij, ai iu referua edhe angazhimit të ri të Qeverisë shqiptare, atë të nënshkrimit të deklaratës së Qeverisjes së Hapur dhe pjesëmarrjes në Open Government Partnership, iniciativë amerikano-braziliane ku marrin pjesë afro 100 shtete.
“Në bazë të këtij angazhimi, po diskutohet në Qeverinë shqiptare, edhe ndërmarrja e masave shtesë në lidhje me rritjen e transparencës dhe aksesit të informacionit (open data), të cilat do të përfshihen  edhe në planin 3-vjeçar antikorrupsion gjatë revizionit të përvitshëm të tij”.
Projekti kundër korrupsionit në Shqipëri është një projekt i përbashkët asistence teknike i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës i nisur që nga 1 shtatori 2009 për një periudhë 30 mujore. Projekti zbatohet nga Këshilli i Evropës dhe financohet nga Bashkimi Evropian (94 për qind) dhe nga Këshilli i Evropës (6 për qind). Objektivi i përgjithshëm i PACA-s është që të kontribuojë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës nëpërmjet parandalimit dhe kontrollit të korrupsionit.
 
Zëvendësambasadori i BE-së në Tiranë, Brusa

“Kufizimi i imunitetit të gjyqtarëve, hap i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit”

“Kufizimi i imunitetit të deputetëve dhe të gjyqtarëve, konsiderohet si një hap i rëndësishëm që duhet të ndërmerret në luftën kundër korrupsionit”. Një fakt i tillë është konstatuar edhe nga ana zëvendës-ambasadorit të BE-së, në Tiranë, Luigi Brusa, sipas të cilit ndër masat që merren kundër korrupsionit, duhet të kufizohet edhe imuniteti i deputetëve e i gjyqtarëve. Këto deklarata u bënë gjatë takimit të gjashtë të Grupit Drejtues të Projektit Kundër Korrupsionit në Shqipëri, i njohur ndryshe si projekti PACA.
Sipas tij, kufizimi i imunitetit të gjyqtarëve dhe deputetëve është me rëndësi, pasi deri tani ka qenë i pamjaftueshëm zbatimi i masave antikorrupsion. “Korrupsioni mbetet problem në shumë fusha. Pengesa sjell mos kufizimi i imunitetit të gjyqtarëve e deputetëve. Prandaj autoritetet duhet të marrin masa për kufizimin e imunitetit dhe luftën ndaj korrupsionit”- tha Brusa. Ai theksoi se është mjaft e rëndësishme lufta kundër korrupsionit, e cila është edhe një nga kriteret për ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. “Bashkimi Europian i ka kërkuar Shqipërisë që të shtojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe ta shohë këtë si një përpjekje të pandalshme në rrugën e zhvillimit”- u shpreh zëvendësambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luixhi Brusa.
Diskutimi për kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve dhe deputetëve është bërë i shpeshtë kohët e fundit. Për këtë, është dhënë konsensus edhe nga përfaqësues të palëve të ndryshme politike si dhe nga vetë përfaqësuesve të qeverisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›