“Letrat nuk janë strehë e dështakëve të politikës”
Kryeministri Berisha viziton panairin e 14 të Librit “Tirana 2011” Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje, Panairin e 14 të Librit “Tirana 2011”, i cili po zhvillohet në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Kryeministri u takua dhe bisedoi me shkrimtarë e botues, pjesëmarrës në këtë panair, si dhe me vizitorë të shumtë që ndodheshin aty. “Është një rast i veçantë që të përgëzoj, të shpreh admirimin tim më të thellë, për botuesit shqiptarë, shkrimtarët, poetët, eseistët e këtij vendi për botimet e shkëlqyera, të vendit dhe të huaja që paraqiten në këtë panair, ndër më të pasurit që është hapur ndonjëherë. Dua të përshëndes organizatorët e panairit dhe të shpreh kënaqësinë time më të madhe për interesin e jashtëzakonshëm që lexuesit e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, pasi unë takova këtu nxënës dhe qytetarë nga qytete të tjera, kanë treguar dhe tregojnë për librin. Nuk ka tregues cilësor, më të rëndësishëm për një individ, për një shoqëri, se sa raporti i saj me librin, raport që po njeh rritje të mëdha. Sot, në këtë panair gjen me mijëra tituj të kryeveprave të letrave botërore dhe shqiptare, ndaj dhe më mbetet ti përgëzoj shumë përzemërsisht. Është një ogur i madh, i bardhë për shqiptarët, është një dëshmi e ngjitjes së tyre në rrafshin më të rëndësishëm, në rrafshin e pasurisë së tyre më të madhe, rrafshin kulturor apo e shprehur ndryshe, rrafshin e identitetit të tyre kombëtar”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë s’la pa komentuar tendencën e re të disa politikanëve të cilët edhe pse kanë bilance negative në politikë, po tentojnë të shndërrohen në shkrimtarë. Indirekt, Kryeministri Berisha atakoi librin “Kurban” të kreut të opozitës, Rama, për të cilin u shpreh se “nuk meritojnë nderin ata që dështojnë në politikë, pasi letrat nuk janë për strehë. Nuk ishte e paqëllimtë sepse unë jam një libërdashës, që në vitet e memories sime e deri më sot dhe më mbetet të them vetëm kaq, Zoti i mbrojttë letrat tona nga politikanët e dështuar, por Zoti e mbrojttë dhe politikën dhe po e mbron nga shkrimtarët e dështuar. Kështu që nuk mendoj se meritojnë ndonjë nderim të veçantë, ata që po dështojnë në politikë dhe rendin pastaj te letrat për të gjetur një strehë. Letrat nuk janë për strehë, letrat janë eleksir i mendimit të shoqërisë dhe të kombit, ndaj dhe jo pa qëllim u mora me shkrimtarët e vërtetë dhe lashë mënjanë dështakët e politikës, të cilët duan të shndërrohen në shkrimtarë. Por bëra një gjë, zëdhënëses time i thashë - ‘shko bleje librin e kushëririt, se të ka bërë personazh në libër’”, deklaroi Berisha. Kryeministri u ndal në stendat e shtëpive të ndryshme botuese dhe vlerësoi botime të ndryshme, libra letrarë, libra për fëmijë, publicistikë, libra historikë, etj. Zoti Berisha i anashkaluat librat e politikanëve, përse? Nuk ishte e paqëllimtë sepse unë jam një libërdashës, që në vitet e memories sime e deri më sot dhe më mbetet të them vetëm kaq, Zoti i mbrojttë letrat tona nga politikanët e dështuar, por Zoti e mbrojttë dhe politikën dhe po e mbron nga shkrimtarët e dështuar. Kështu që nuk mendoj se meritojnë ndonjë nderim të veçantë, ata që po dështojnë në politikë dhe rendin pastaj tek letrat për të gjetur një strehë. Letrat nuk janë për strehë, letrat janë eleksir i mendimit të shoqërisë dhe të kombit, ndaj dhe jo pa qëllim u mora me shkrimtarët e vërtetë dhe lashë mënjanë dështakët e politikës, të cilët duan të shndërrohen në shkrimtarë. Por bëra një gjë, zëdhënëses time i thashë – “shko bleje librin e kushëririt, se të ka bërë personazh në libër”. E dënuat edhe Blushin për shkak të Ramës... Është më ndryshe problemi, por nuk dua të përfshihem në rivalitetin e tyre. Nuk mund të them se janë e njëjta gjë, sepse e kam thënë dhe njëherë, biblioteka e gjyshit të Blushit ka libra sa gjysma e kësaj salle.
...