E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Na tregoni se dini të bëni zgjedhje me standarde

 

ADI SHKEMBI

Zgjedhjet e 28 qershorit janë një mundësi e mirë që të provojnë se Shqipëria ka arritur në stadin për të zhvilluar zgjedhje sipas standardeve. Afro dy javë para zgjedhjeve, ambasadori i delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, thekson se ky proces elektoral po monitorohet me vëmendje të madhe. “Shqipëria ka mundësinë t’i tregojë BE-së se ka rritur nivelin e pjekurisë dhe se ka kapacitet të organizojë zgjedhje të ndershme dhe të lira sipas standardeve evropiane. Po e monitorojmë këtë test me një vëmendje të jashtëzakonshme. Duhet konsensusi i palëve në parlamentin e ri për integrimin e Shqipërisë”, deklaroi Helmuth Lohan. Deklarata e zyrtarit të KE-së u bë gjatë konferencës “Drejt Evropës”, me rastin e mbylljes së projektit të asistencës teknike me një vlerë 2.5 milionë euro, e cila mbështeti qeverinë shqiptare për ngritjen e kapaciteteve administrative për procesin e integrimit. Ndërsa sipas ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, “sot, tre vjet pas nënshkrimit të MSA-së dhe me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, integrimi europian vazhdon të jetë prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare dhe i shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Kjo është shprehur qartësisht me paraqitjen e kërkesës për anëtarësim nga Shqipëria në 28 prill”.
Sondazhi
850 intervista ballë për ballë u kryen gjatë muajve mars-prill të këtij viti. 600 pyetësorë iu paraqitën publikut dhe 250 u përkisnin grupeve të caktuara (akademikët, biznesmenët, gazetarët, politikanët dhe administrata publike). Sondazhi u bë 3 muaj pasi Greqia ratifikoi e fundit MSA-në. Gjetja më interesante e këtij sondazhi është fakti se 18 për qind e politikanëve (deputetë, këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, zyrtarë të lartë të partive politike) nuk e dinë se kur merret statusi i vendit kandidat. Kjo është konsideruar pyetja së cilës i janë dhënë shumë përgjigje negative. “Për shkak të natyrës relativisht teknike, përgjigjet e sakta ishin shumë të ulëta dhe kishte shumë përgjigje ‘nuk e di’. Shumica relative e publikut të gjerë (38%) nuk kanë kthyer përgjigje ose kanë thënë se nuk e dinin përgjigjen e kësaj pyetje. Vetëm 16 për qind kanë kthyer përgjigje të saktë”, thuhet në konkluzionet e sondazhit. Ndërkohë që më shumë se gjysma e qytetarëve nuk e dinin gjatë periudhës kur është bërë sondazhi se të gjitha vendet e BE-së e kishin ratifikuar MSA-në mes Shqipërisë dhe BE-së. Kësaj pyetje i janë përgjigjur 100% pozitivisht vetëm gazetarët dhe politikanët. Shumica e qytetarëve mendojnë se hyrja në fuqi e MSA-së do të ndikojë pozitivisht në zhvillimet në vend, ndërkohë që vetëm 40% e tyre mendojnë se hyrja në fuqi e kësaj marrëveshje do të ketë ndikim pozitiv në liberalizimin e vizave. Të pyetur se sa ndikim do të kenë zgjedhjet e 28 qershorit për aplikimin e Shqipërisë në BE, 80% e politikanëve mendojnë se do të ketë shumë ndikim.

Të dhënat e sondazhit

1. Sa vende anëtare nuk e kanë ratifikuar ende MSA?
47% e qytetarëve thanë se e kanë ratifikuar të gjitha vendet
80% e akademikëve thanë se e kanë ratifikuar të gjitha vendet
58% e biznesmenëve thanë se e kanë ratifikuar të gjitha vendet
100% e gazetarëve thanë se e kanë ratifikuar të gjitha vendet
100% e politikanëve thanë se e kanë ratifikuar të gjitha vendet
72% e administratës thanë se e kanë ratifikuar të gjitha vendet
2. Sipas opinionit tuaj sa ndikim pozitiv/negativ do të ketë hyrja në fuqi e MSA për zhvillimin e vendit?
72% e qytetarëve thanë se do ketë shumë ndikim pozitiv
64% e akademikëve thanë se do ketë shumë ndikim pozitiv
84% e biznesmenëve thanë se do ketë shumë ndikim pozitiv
65% e gazetarëve thanë se do ketë shumë ndikim pozitiv
86% e politikanëve thanë se do ketë shumë ndikim pozitiv
90% e administratës thanë se do ketë shumë ndikim pozitiv
3. Sipas opinionit tuaj sa do të ndikojë hyrja në fuqi e MSA në procesin e liberalizimit të vizave?
40% e qytetarëve thanë se do ndikojë shumë
56% e akademikëve thanë se do ndikojë disi
44% e biznesmenëve thanë se do ndikojë disi
36% e gazetarëve thanë se do ndikojë shumë
48% e politikanëve thanë se do ndikojë shumë
46% e administratës thanë se do ndikojë disi
4. A e dini ju se Shqipëria po përgatitet të bëjë aplikimin për statusin e vendit kandidat?
66% e qytetarëve thanë se e dinë
92% e akademikëve thanë se e dinë
90% e biznesmenëve thanë se e dinë
100% e gazetarëve dhe politikanëve thanë se e dinë
94% e administratës thanë se e dinë
5. Sa i përmbush Shqipëria kriteret për të pasur një aplikim të suksesshëm si vend kandidat?
36% e qytetarëve thanë se nuk i përmbush shumë
44% e akademikëve thanë se i përmbush disi
50% e biznesmenëve thanë se i përmbush disi
42% e gazetarëve thanë se nuk i përmbush shumë
58% e politikanëve thanë se i përmbush disi
10% e administratës thanë se i përmbush shumë
6. Sa të favorshme janë zhvillimet brenda BE-së për aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat?
38% e qytetarëve thanë se janë disi të favorshme
42% e akademikëve thanë se janë disi të pafavorshme
28% e biznesmenëve thanë se janë shumë të favorshme
52% e gazetarëve thanë se janë disi të favorshme
58% e politikanëve thanë se janë disi të favorshme
36% e administratës thanë se janë disi të pafavorshme
7. Sa do ndikojë anëtarësimi në NATO për të ardhmen e suksesshme të Shqipërisë si vend kandidat?
44% e qytetarëve thanë se do ndikojë shumë
38% e akademikëve thanë se do ndikojë disi
52% e biznesmenëve thanë se do ndikojë shumë
44% e gazetarëve thanë se do ndikojë disi
56% e politikanëve thanë se do ndikojë shumë
50% e administratës thanë se do ndikojë shumë
8. Sa do të merret parasysh fakti nëse zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri do të konsiderohen të lira dhe të drejta, për të influencuar në të ardhmen e suksesshme të Shqipërisë si vend kandidat?
42% e qytetarëve dhe akademikëve thanë se do merret shumë parasysh
52% e biznesmenëve thanë se do merret shumë parasysh
70% e gazetarëve thanë se do merret shumë parasysh
80% e politikanëve thanë se do merret shumë parasysh
50% e administratës thanë se do merret shumë parasysh
9. Mesa dini ju kur sigurohet statusi kandidat...?*
20% e qytetarëve thanë pas një periudhe kohe të caktuar
16% e akademikëve thanë kur hyn në fuqi MSA
16% e biznesmenëve thanë hyn në fuqi automatikisht
38% e gazetarëve thanë nuk është asnjë prej alternativave
56% e politikanëve thanë nuk është asnjë prej alternativave
16% e administratës thanë nuk e dinë
*Përgjigjja e saktë është “asnjëra prej alternativa”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›