Ristani: Ngritja e komisioneve, partitë të jenë të përgjegjshme
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani iu bën thirrje partive politike të jenë më të përgjegjshme për menaxhimin e administrimit të procesit zgjedhor, duke kërkuar ngritjen në një kohë sa më shpejtë të Komisioneve të Qendrave të Votimit. Mosngritja e KQV-ve brenda afatit ligjor, ka sjellë reagimin e ashpër të kreut të KQZ-së, Arben Ristani, i cili kërkon që partitë të jenë të përgjegjshme për sa i përket niveleve të komisioneve të dyta dhe të treta. “Kemi shkelje të afateve ligjore nga partitë politike, nga organet e pushtetit lokal dhe të gjitha këto cenojnë në një fare mënyrë procesin ose së paku shtojnë në maksimum rëndesën ndaj KQZ, i cili do t’i duhet të punojë me një ngarkesë shumë, shumë të madhe, për të arritur që të korrigjojë punën e të tjerëve”, tha dje për VOA, Ristani. Ndërsa ka bërë të ditur se KQZ-ja nuk e sheh si zgjidhjen e këtij problemi me marrjen e masave ndëshkimore. “Thirrja që unë bëj është që të jeni të përgjegjshëm, jeni të përgjegjshëm dhe për rëndësinë e zgjedhjeve dhe për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve në mënyrë të veçantë, asgjë nuk e rregullon këtë situatë përveç përgjegjshmërisë. Sado të marrë KQZ-kja vendime, t’i penalizojë me gjoba apo me mjete të tjera ligjore që disponojmë, asgjë përveç përgjegjshmërisë nuk e rregullon situatën”, theksoi Ristani. Në bazë të ligjit partitë politike, PS, PD, PR dhe PSD duhet të kishin paraqitur emrat e 20 ditë para ditës së zgjedhjeve, por një gjë e tillë nuk u realizua. Ngritja e komisioneve nga partitë politike ka qenë përherë një problem, pasi ato nuk i kanë paraqitur në kohë, si dhe vazhdojnë t’i ndërrojnë ato herë pas here, duke vënë në rrezik edhe trajnimet, që KQZ-ja ka parashikuar për anëtarët.