E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Në Sarajevë, edhe Prishtina edhe Beogradi


Ministrat e punëve të jashtme të Serbisë, Spanjës dhe Turqisë, do të takohen të martën në Beograd, për të gjetur një zgjidhje për mënyrën e paraqitjes së Kosovës në konferencat ndërkombëtare rajonale, shkruan gazeta "Blic" në artikujt e saj më të fundit. Gazeta bën të ditur se takimi i treshes, Vuk Jeremic, Miguel Angel Moratinos, në rolin e përfaqësuesit të Këshillit të ministrave të BE-së, dhe Ahmet Davutoglu, do të jetë kyç për gjetjen e formulës së re të bashkëpunimit rajonal, në mënyrë që asnjë vend të mos përjashtohet nga dialogu. Pas këtij takimi, janë planifikuar konsultime ndërmjet anëtareve të BE-së dhe administratës së Brukselit lidhur me marrëveshjet e arritura, ndërsa finalizimi pritet të ndodhë javën e ardhshme, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Italisë, Franco Frattini në Beograd. Temë e takimit të të martës do të jetë konferenca e Sarajevës, kryesisht sigurimi i pjesëmarrjes së të gjitha shteteve të rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën, por edhe çështjet e veprimeve të mëtutjeshme, pasi GJND-ja të ketë dhënë mendimin për pavarësinë e Kosovës. Nga konferenca e Sarajevës, që mbahet më 2 qershor dhe organizohet nga Spanja si udhëheqëse e BE-së, pritet hapja e perspektivave të reja për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor në integrimet europiane. Por ndërkaq BE dëshiron që paraprakisht të gjejë mënyrën që në të, të marrin pjesë edhe zyrtarët e Beogradit edhe ata të Prishtinës. Ditë më parë në Madrid është konfirmuar se më 2 qershor do të mbahet konferenca në Sarajevë dhe se në takim do të ftohet edhe Kosova.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›