E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Pa viza 3 shtete, inkurajohet Shqipëria

 

BLEDAR HOTI

Ministrat e Brendsh-ëm të BE miratojnë propozimin e KE-se për heqjen e vizave Shengen me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë. Vendimi hyn ne fuqi 20 ditë pas botimit ne fletoren zyrtare. Kjo do të thotë se nga 19 dhjetori, shtetasit e këtyre tri vendeve mund të përfitojnë nga procesi i liberalizimit të vizave me BE-në. Po kështu, në tekstin e vendimit thuhet se këta qytetarë përjashtohen edhe nga mundësia për punësim në vendet e BE-së. Nënpresidenti i BE për çështje të Sigurisë e Drejtësisë, Zhak Barrot, në prani të komisionerit Oli Rehn dhe presidentit serb Boris Tadiç, tha dje se “kam kënaqësinë t’ju konfirmoj se Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE vendosi t’i heqë qytetarëve të Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi regjimin e vizave”. Ministrat shprehën gjithashtu mbështetjen e plotë lidhur me heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, e paralajmëruar të ndodhë në mesin e vitit 2010. Ministri suedez për migracionin dhe azilin, Tobias Billtrom theksoi se “gjithashtu u ra dakord për një marrëveshje të përbashkët në të cilën nxiten qeveritë e Shqipërisë dhe Bosnjës, që të vazhdojnë më tej me reformat”. “E kuptoj që është zhgënjyese që Shqipëria e Bosnja nuk u përfshinë në vendimin që Këshilli mori. Progresi i tyre teknikisht u konsiderua i pamjaftueshëm nga Komisioni dhe një mision i ri ekspertesh do të dërgohet në Shqipëri e Bosnje në fund të vitit dhe në fillim të vitit të ardhshëm. Komisioni do të bëjë një vlerësim tjetër, nëse ata përmbushin kriteret e udhërrëfyesit. Pres me padurim kur ne do të vendosim të heqim vizat për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës”, theksoi Billtrom. Ministri suedez shtoi se sapo “të konstatohet se dy vendet kanë plotësuar kushtet, liberalizimi do të bëhet menjëherë nga Komisioni dhe se ky proces varet nga qeveritë e dy vendeve”. Komisioneri i BE-së për çështje të brendshme Jacques Barrot, tha se “ne po bëjmë ç’është e mundur për të dërguar ekspertët në kohën e dëshiruar, gjatë vitit 2010. Gjithçka më bën të mendoj se ky dialog i vizave do te arrihet. Komisioni është i gatshëm ta ndihmojë Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën të përmbushin sa më shpejt standardet e kërkuara për t’iu bashkangjitur hapësirës shengen qysh brenda vitit të ardhshëm”. Komisioneri për Zgjerim Oli Rehn në lidhje me këtë vendim deklaroi se “KE duhet të vazhdojë punën për integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në BE”. Eksperte në Iniciativa e Stabilitetit Evropian, Alexandra Stiglmaye deklaroi se “Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë shumë progres muajt e fundit”. “Tani, Komisioni duhet të vlerësojë këtë progres, që ne shpresojmë se do ta bëjë sa më shpejt, e më pas Komisioni do të bëjë një propozim legjislativ. Nëse gjithçka shkon mirë, Shqipëria dhe Bosnja mund të kenë ndoshta një regjim pa viza në prill-maj të vitit të ardhshëm edhe pse data më reale e synuar duket korriku”, theksoi Stiglmaye.

MPJ, Gjoni: Përshëndesim vendimin e BE-së

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ralf Gjoni pas vendimit për heqjen e vizave shengen theksoi se “e përshëndet atë dhe se sigurisht që ky është një sinjal shumë pozitiv për të gjithë Ballkanin Perëndimor si dhe për objektivat tona të përbashkëta integruese në BE”. “Kam besim se shumë shpejt, do të kemi një Propozim nga Komisioni për Shqipërinë, duke pasur parasysh se ecuria e përmbushjes së kritereve nga ana jonë është optimale. Le të mos harrojmë pikënisjen e Shqipërisë në raport me fqinjët e saj të ish-Jugosllavisë, dhe të shohim qartë progresin konkret që është bërë në vendin tonë përgjatë viteve”, theksoi Gjoni. Zëdhënësi në të njëjtën kohë bëri të ditur se autoritetet shqiptare po punojnë maksimalisht për arritjen e objektivit të vënë, lëvizje pa viza. “Ju siguroj se ne po punojmë fort si brenda, ashtu edhe jashtë vendit që brenda vitit 2010 t’u mundësojmë qytetarëve shqiptarë lëvizjen pa viza në hapësirën Shengen”, theksoi zëdhënësi Gjoni. Vendimi i Komisionit Evropian për Shqipërinë për procesin e liberalizimit të vizave pritet të merret në muajin korrik të vitit 2009. Ekspertët e KE-së pritet të vëzhgojnë nga afër progresin e arritur nga Shqipëria në lidhje me plotësimin e standardeve të kërkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›