Dhjetëra mjete mbeten në baltë në shtegun e Thirrës
KUKES- Është kthyer në tmerr, jo vetëm për drejtuesit e mjeteve, por edhe për udhëtarët, shtegu që kalon mbi tunelin e Kalimashit dhe që të nxjerr për shkurt në Thirrë. Dje dhjetëra automjete kanë mbetur në mes të baltës, pa patur mundësi as të ecin më para, por as të kthehen mbrapa. Drejtuesit, duke mos e ditur gjendjen e krijuar në rrugë, i kanë rënë shtegut derisa kanë mbërritur në një vend që është gjithë baltë e llucë. Për të zgjidhur kaosin e krijuar, mjaft prej shoferëve u detyruan të vënë në goma zinxhirët që përdoren në raste të dëborës. Por me sa duket, as zinxhirët nuk e kanë zgjidh dot situatën pasi vetëm pak metra më tej ato këputeshin. Drejtuesit e automjeteve u shprehën se nëse firmat hedhin gurë të coptuar atëherë kjo gjendje mund të përmirësohet. Në këtë segment shoferët janë detyruar të zbresin dhe të shtyjnë në mes të baltës makinat e tyret. Shtegu u improvizua kur u hap tuneli për përdorim të brendshme të firmës që e ndërtonte atë. Por me mbylljen e tunelit shoferët po shfrytëzojnë këtë rrugë që kalon në bjeshkët mbi tunel, ndonëse ajo është tërësisht jashtë kontrollit të policisë. F.Gashi i ardhur me dy shokë të tij nga Austria, pasi ka shtyrë autoveturën për një orë e gjysmë për 7 km është dorëzuar në pamundësi për të vijuar më tej. “Jemi bërë tërë baltë e djersë. Shihe si jemi, nuk kemi më mundësi të shtyjmë makinën. Kjo është katastrofë, askush nuk na lajmëroi se kjo rrugë nuk bën. Ne pa e ditur jemi futur për ti rënë shkurt, por kemi mbetur në mes të malit” u shpreh emigranti. j.h