BE: Polici në Gjeorgji, bashkëpunim me Moskën
Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë përfunduar takimin mbi krizën në Kaukaz, duke shpresuar në bashkëpunimin e Moskës në gjetjen e zgjidhjeve politike. Pas takimit të ministrave, të gjitha shpresat janë kthyer nga Presidenti francez, Nikola Sarkozi dhe kreu i këshillit të BE-së, i cili ditën e hënë udhëton për në Moskë. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer tha se: “Mendoj se sipas planit gjashtë pikësh për tërheqjen e trupave ruse nga Osetia dhe Abkhazia, Rusia duhet të tërhiqet, sepse ajo vetë ka rënë dakord. Shpresojmë që Rusia në vendimet e saj t’i përmbahet kësaj”. Shtetet baltike, Suedia, Britania e Madhe kishin kërkuar një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë. Por sanksionet kundër Rusisë u refuzuan nga ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner. Sipas ministrit të Jashtëm italian, Franko Frattini, tha se BE ka arritur një marrëveshje politike mbi misionin e BE-së në Gjeorgji, i cili do të përfshijë edhe një polici civile. Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez, Kushner, duke dënuar njohjen nga Rusia të dy republikave separatiste në Gjeorgji, ka bërë krahasime mes Osetisë, Abkhazisë dhe Kosovës. Sipas Kushner, BE i ka justifikuar veprimet e veta si zgjidhja e vetme e çështjes së Kosovës. “Ne kemi marrë përgjegjësinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se nuk kemi mundur të vepronim ndryshe”, deklaroi Kushner, në takimin e Avinjonit të Francës. Shefi i diplomacisë franceze, u shpreh se Kosova vazhdon të mbetet një çështje e ndërlikuar, por Bashkimi Evropian do ta shfrytëzojë përvojën e shuarjes së konflikteve në Ballkan në zgjidhjen e krizës në Gjeorgji.