Pranga 73-vjeçarit, denoncohet nga e mitura për tentativë përdhunimi
FIER – Një 78-vjeçar u arrestua dje nga blutë e Fierit, pasi kishte tentuar të përdhunonte një natë më parë një të mitur, në fshatin Libofshë të këtij rrethi. Sipas burimeve policore, Thoma Marini ka tentuar të përdhunojë fqinjen e tij 13-vjeçare me iniciale A.L. E mitura, edhe pse ka rënë pre e mashtrimeve të Marinit, ka arritur të shpëtojë nga duart e pedofilit pa arritur të bëhet viktimë e tij. Më pas, vajza ka shkuar në shtëpi në gjendje shoku ku ka treguar për atë që i kishte ngjarë, ndërkohë që prindërit e saj nuk kanë vonuar për të bërë edhe denoncimin në polici. Sipas këtij denoncimi, i moshuari ka joshur të miturën duke arritur ta tërheqë atë në një arë me misra që ndodhej pranë rrugës. Aty ai ka tentuar ta përdhunojë, por është frenuar pasi ka dëgjuar disa zëra kalimtarësh. Ky moment është shfrytëzuar nga 13-vjeçarja për t’u larguar. Për shkak të moshës, në polici e mitura është marrë në pyetje në praninë e prindërve dhe të një psikologeje. Mësohet se e ajo ka pohuar se i moshuari kishte tentuar edhe herë të tjera të kryente veprime të turpshme me të. Ndërsa i moshuari është prangosur dje, gjatë marrjes në pyetje e ka hedhur poshtë akuzën e ngritur ndaj tij. Muajin e kaluar, në një fshat të Lushnjës, një 13-vjeçare mbeti shtatzënë si pasojë e dhunës seksuale nga një 74-vjeçar, i cili ndodhet në burg. m.r