E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi, Berisha-Ramës: Kompromis me Metën

Tiranë-Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar kryesocialisit  Edi Rama të bëjë kompromis me Ilir Metën e LSI-së, për Kodin Zgjedhor, tashmë që ligji po rishqyrtohet nga Komisioni për reformën Zgjedhore. “Rama të dëshmojë sens kompromisi me LSI-në, forcën politike e cila ka 8-10 përqind të elektoratit shqiptar”, u shpreh sot Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë.

Më tej ai tha se “nuk është në interes te vendit përjashtimi total nga përfaqësimi në procesin zgjedhor i kësaj force politike (LSI)”. “Nuk e bëj këtë për asnjë lloj qëllimi tjetër, përveç se për faktin se realitetet nuk duhen mohuar në vendime të rëndësishme. Nëse injorohet realiteti vendimet mbeten me probleme. Realitetet janë për tu ndryshuar, por jo për tu mohuar”, vijoi ai.

Për herë të parë Berisha është shprehur edhe për grevën e urisë së deuptetëve të partive të vogla, para se Kodi të miratohej nga parlamneti. “Kam qenë shumë i lënduar nga greva e urisë së 10 deputetëve, pasi pavarësisht se kundërshtarë, askush nuk e mbështeste vendimin për tu futur në një grevë urie. Kjo grevë përbënte një lajm aspak të favorshëm për vendin”. Sipas tij vendimi i tanishëm i mazhorancës është të korrigjohet çdo gjë. “Ne nuk dalim jashtë teorisë së gabimeve, ndaj ekziston mundësia për reflektim”, u shpreh Berisha.

Kodi i ri Zgjedhor u miratua ne Kuvend në fund të nëntorit me votat e PS-së dhe PD-së, dhe me kundërshtim të theksuar të partive të vogla. Por ky ligj u kthye nga Presindeti i Republikës Bamir Topi, jo për kërkesat e të vegjëlve por për disa pasaktësi në afatin e shpalljes së datës së zgjedhjeve. Mosdekretimi nga ana e Topit bëri që Parlamneti të votojë për ringritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore që do të bëjë rregullimet që kërkoi Presidenti. Ky komision u mblodh dje, por ende nuk dihet nëse do të diskutojnë edhe kërkesat e Ilir Metës në lidhje me disa nene të Kodit të ri Zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›