BE: Qeveria dhe opozita të bëjnë zgjedhje të lira
Adi Shkëmbi
Bashkimi Evropian i kërkon qeverisë dhe opozitës të angazhohen në zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm vitin e ardhshëm. Mesazhi është përcjellë dje në Bruksel nga Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oli Rehn gjatë një konference për shtyp me ministrin tonë të Jashtëm, Lulzim Basha. Pas takimit mes dy delegacioneve, Rehn mirëpriti miratimin e Kodit të ri Zgjedhor në Parlamentin e Shqipërisë, ndërsa vlerësimet mbi zgjedhjet e ardhshme do të bazon nga vëzhgimi që i bëhet procesit nga OSBE-ODHIR. "Komisioni mirëpret miratimin e Kodit të ri Zgjedhor në Parlamentin e Shqipërisë dhe ne do të bazojmë vlerësimin tonë mbi zgjedhjet e ardhshme, mbi vëzhgimin që bëhet si normalisht procesit nga OSBE-ODHIR-i. Në Evropë nuk ka një standard të vetëm për përbërjen e komisioneve zgjedhore. Ne presim që qeveria si dhe opozita, jo vetëm partia kryesore e opozitës, por të gjitha partitë politike të jenë të angazhuara në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme", tha Rehn. Ndërsa sipas kreut të diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha "e risigurova komisionerin Ren dhe Komisionin Evropian se Shqipëria dhe qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar për standardet më të larta në zgjedhjet e ardhshme dhe që këto standarde të përfshijnë të gjitha partitë politike pavarësisht madhësisë apo pozicionimit të tyre", tha ministri Basha. Komisioneri për zgjerimin është ndalur edhe te çështja e kërkesës për statusin e vendit kandidat, duke theksuar se çdo gjë ka kohën e vet, teksa Shqipërisë i ka theksuar të plotësojë kushtet për aderimin në BE. "Çdo gjë në jetë ka kohën e vet, ndaj mund të ndodhë që Këshilli Evropian i muajit dhjetor të mos fokusohet në mënyrë të veçantë mbi zgjerimin e BE-së. Kjo është shpallja e një fakti, e një realiteti. Duke thënë këtë, Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë evropiane me objektivin e saj përfundimtar anëtarësimin, kur ky vend të plotësojë të gjitha kushtet e aderimit në BE. Për këtë arsye, është fare logjike që në një moment të caktuar kohor, kur të jetë pjekur momenti, Shqipëria të bëjë kërkesën", u shpreh Rehn. Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kreu i diplomacisë shqiptare bëri një ekspoze të zhvillimeve të fundit dhe situatës politike në vend, si dhe hapat e mëtejshëm që po ndërmerr qeveria shqiptare në drejtim të përparimit të mëtejshëm të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. "Bashkëbiseduesit vlerësuan raportin e progresit të Shqipërisë, si objektiv dhe pozitiv. Ndërkaq, ministri Basha u ndal në hapat që qeveria shqiptare po ndërmerr për përmbushjen e objektivave të detajuara në progres-raport, duke u ndalur gjerësisht në plan veprimin që po hartohet sipas direktivës së dhënë nga KM Berisha në mbledhjen e fundit të Komitetit Ndërministror të Integrimit", thuhet në njoftimin për shtyp.
NATO, Shefer: Jeni në drejtimin e duhur
NATO vlerësoi dje reformat e ndërmarra nga Shqipëria duke thënë se vendi po ecën në drejtimin e duhur. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Japp de hop Shefer u takua me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha duke u ndalur në reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe ecurinë e procesit të ratifikimit të protokollit të NATO-s. Në përfundim të takimit zëdhënësi i NATO-s, James Appathurai tha se "Vlerësimet e sekretarit të Përgjithshëm dhe të NATO-s mendoj se janë pozitive. Kodi Zgjedhor sapo kaloi, me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Shpenzimet në mbrojtje vazhdojnë të jenë dhe do të jenë 2% e buxhetit. Reformat në ekonomi, në investime, në përgjithësi kundër korrupsionit, të gjitha këto pra po ecin mendoj unë në drejtimin e duhur. Dhe sekretari i Përgjithshëm e mirëpriti këtë. Është gjithashtu e vërtetë se Shqipëria po luan një rol të rëndësishëm në rajon, duke promovuar stabilitetin në një zonë ku destabilizimi është parë shumë shpesh". Ndërsa sipas Bashës "Sekretari i Përgjithshëm më njoftoi se së shpejti do të firmosë ftesën për mua dhe për ministrin e Jashtëm kroat për mbledhjen parapërgatitore në muajt shkurt-mars, para Samitit të Strasburgut. Dhe para kësaj periudhe pritet përfundimi i procesit të ratifikimit nga të gjithë vendet e anëtare të NATO-s, çka do të thotë se rruga është e hapur në atë moment për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO".