E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmeti: Mitin e Skënderbeut e krijoi Evropa

 

Alma Mile

Nuk shkëputet dot nga rrënjët. Aty është Shqipëria, kujtimet e fëmijërisë, babai, ai vetë, por edhe Skënderbeu, të cilin e sjell në 10 tablo. Është heroi herë tragjik, herë fitimtar, herë prind, e herë bashkëshort, por gjithsesi në nivelet e hyjnores. Por është edhe Nju Jorku. Bashkim Ahmeti, i cili prej vitesh jeton dhe krijon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kthehet në Tiranë me një ekspozitë pikture. Në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, ai ekspozon sot 80 vepra të reja, shumë në dimensione të mëdha, 30 prej të cilave janë shitur tashmë. Në një intervistë për “Panorama” piktori tregon mbi laboratorin e tij krijues, motivet e vjetra e të reja.
Riktheheni pas 4 vjetësh me një tjetër ekspozitë, cili ka qenë laboratori juaj krijues gjatë kësaj periudhe?
Gjatë këtyre katër viteve kam vazhduar procesin tim të krijimtarisë, në mënyrë normale dhe nuk kisha bërë asnjë plan për të hapur një ekspozitë. Kam hapur ekspozita personale e në grup aty dhe kur u afruan ditët nisa të mendoja se si do ta organizoja, për t’i dhënë një fytyrë, jo të rastësishme. Në krijimtarinë e një artisti gjërat janë të lidhura me njëra-tjetrën, madje po të shohësh një grup punësh në studion e një autori, sheh se janë po ato ide, ajo mënyrë të krijuari, ato shqetësime artistike dhe estetike.
Cilat janë motivet që përshkojnë këtë ekspozitë?
Janë frymëzime nga Shqipëria, mbresat e mia, mbresa nga jeta, nga natyra, frymëzime që marrin shkas nga një këngë, nga një varg popullor, nga një libër, ide e shprehur diku nga një mendimtar, një kujtim i fëmijërisë, raportet me njerëzit, prindërit, familjen. Për t’i vënë një emër, i quaj temat e “Shqipërisë së përjetshme”, ku mblidhen bashkë të gjitha frymëzimet e jetës, vegjëlisë, historisë, njerëzve të shquar, apo të imagjinuar.
Një grup pikturash vërtiten rreth figurës së Skënderbeut. Janë mjaft, janë 10 tablo, disa janë të dimensioneve të mëdha. Edhe më parë kam trajtuar figurën e një heroi që është herë fitimtar e humbës, herë poetiko-romantik, herë tragjik. Këtë radhë puna më çoi drejt tij.
Çfarë ju ndolli drejt figurës së Skënderbeut?
As unë nuk e di. Në pikturë kam personazh që herë është me krahë e herë me xhufka, herë është babai im, herë jam unë që vihem në vendin e tij, apo dikush që vjen nga një këngë. Shpesh herë e kam quajtur “Mbreti”, “Mbretit i dhemb koka”, “Mbreti kuq e zi”, si herën e shkuar. Por dalëngadalë bëra një portret të tij dhe nuk e di pse më vonë i vura pranë Donikën, siç më ka ndodhur dhe herët e tjera, që ku është një hero është edhe një femër pranë tij, ndaj erdhi dhe Donika. Njëra punë solli tjetrën. Kështu erdha tek figura e Skënderbeut, i pari që pati idenë gjeniale të krijimit të shtetit të shqiptarit, me aleanca perëndimore, larg lidhjeve të Bizantit. Më ka frymëzuar kjo figurë.
Pak kohë më parë, ju hapët një ekspozitë në vendlindjen tuaj, si ju priti Gjirokastra?
Ekspozitën e fundit në Gjirokastër e hapa në vitin 1985. Ishte hapi im më i suksesshëm si piktor i ri atëherë. Ishin piktura për Gjirokastrën, më tej erdhën edhe në Tiranë, në Muzeun Kombëtar. Që atëherë nuk hapa më një ekspozitë në Gjirokastër. Kur hapa ekspozitë këtu të gjithë erdhën për ta parë që andej, ndaj kësaj here vendosa të vete unë atje. Nuk ishte e lehtë të bëje një ekspozitë me 60-70 punë. Realizuam një mbrëmje shumë të këndshme, pikturat u pritën me dashuri dhe mirëkuptim. Kështu që u ndava i lumtur me Gjirokastrën. Më erdhi mirë që njerëzit ishin të interesuar për të blerë dhe për të ndërtuar koleksionet e tyre. Kjo ishte diçka e re për mua.

Ekspozitë me piktura të shitura

Mes 80 pikturave që ekspozohen sot, mësojmë se 30 janë të shitura e ndoshta shumë shpejt do të shiten edhe të tjerat, ashtu si ndodhi katër vjet më parë. “Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ky është profesioni im dhe unë nuk bëj punë tjetër. Studioja ka nevojë të mbahet. Ka nevojë të prodhosh, të ekspozosh dhe punët të shkojnë tek njerëzit... Për mua kjo është një kënaqësi shumë e madhe, është tregues i suksesit”, thotë piktori Bashkim Ahmeti. Edhe pse nuk mund ta përmbledhë me një fjalë arsyen pse njerëzit e pëlqejnë pikturën e tij, Ahmeti thotë se ka rëndësi që piktura të jetë e bukur. “Ky është ligji i pikturës. Edhe kur pikturon vdekjen, tradhtinë, frikën, apo diçka tjetër, duhet të jetë e bukur”.

I frymëzuar nga Skënderbeu

Në kohën kur dalin lloj–lloj tezash mbi figurën e Skënderbeut, piktori Bashkim Ahmeti, frymëzohet dhe mes një larmi punësh na sjell dhe 10 vepra për heroin. “Edhe Skënderbeu im është i “çmitizuar” sepse ai është bashkëshort, ka një grua ambicioze dhe ëndërrimtare, herë është ai vetë ëndërrimtar për t’u bërë mbret, pastaj babai që shpreson që i biri të jetë trashëgimtari. Nuk është heroi i shablloneve, por kjo e bën edhe më hyjnor, por njëkohësisht edhe më i prekshëm. Këto përrallat e çmitizimeve ndodhin gjithnjë me personazhet e mëdhenj”, thotë Ahmeti, sipas të cilit ai nuk mund të çmitizohet me 10 apo 100 libra, sepse për të janë bërë me mijëra të tillë, që para Barletit, për të vijuar me burra të shquar të Rilindjes Evropiane, deri tek Noli. “Mitin e Skënderbeut nuk e ngritëm ne, por Evropa, ai ishte një nga personazhet më frymëzuese për të gjithë. Ai ishte mit në periudhën kur shqiptarët patën nevojë për t’u frymëzuar. Në një kohë kur kishin ardhur në zgrip të zhdukjes, shqiptarët e gjetën të gatshëm. Popuj të tjerë kanë dashur ta përvetësojnë, por ai ishte shqiptar”, thekson Ahmeti, teksa shton se pavarësisht se këto gjëra nuk lidhen direkt me pikturën, vërtiten në vetëdijen e piktorit dhe gjejnë shteg për të dalë në vepër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›