Berisha-Gjukanoviç: Në 2009 do aplikojmë për anëtarësim në BE
Kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe ai malazez Gjukanoviç, u shprehën dje të vendosur për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë fakt e bënë të ditur të dy kryeministrat gjatë konferencës për shtyp pas takimit të tyre në Kryeministri. Kryeministri shqiptar Sali Berisha tha se qeveria shqiptare është transparente dhe kur të marrë vendimin për të kandiduar, do t'ia bëjë me dije dhe publikut. "Një gjë është e sigurt, që raportet e Brukselit, të cilat në asnjë lloj rrethane nuk mund të jenë folklore ballkanike, kanë një vlerësim pozitiv për arritjet, sukseset dhe detyrat që ne duhet të realizojmë më tej dhe i lënë dyert plotësisht të hapura për paraqitjen në kohën e duhur të kërkesës së statusit për kandidat. A do jetë ky muaji janar, apo muaj tjetër ende nuk dihet, por mesa duket, kjo do të ndodhë vitin tjetër. Kjo nuk është krejtësisht vetëm në dorën e qeverisë shqiptare, por janë një kompleks faktorësh. Këtë gjashtëmujor kryesuese e Bashkimit Evropian ka qenë Franca. Presidenti dhe qeveria franceze kanë pasur një gjashtëmujor me një nga tematikat evropiane dhe botërore më të rëndësishme. Kështu që, në rast se nuk u bëmë të ndjeshëm gjatë gjashtëmujorit të presidencës franceze, ne do ta konsiderojmë shumë seriozisht vitin e ardhshëm", tha Berisha. Nga ana e tij, kryeministri malazez Gjukanoviç u shpreh qartë se, "plani ynë është të aplikojmë për anëtarësim në BE gjatë takimit të ardhshëm, që do të mbahet në Francë". "Ne po dialogojmë rreth kësaj çështjeje si brenda vendit, ashtu edhe me Komisionin Evropian. Nuk do kisha ç'të shtoja më tepër nga sa tha zoti Berisha, para së gjithash, çdo hap në këtë drejtim duhet të jetë i koordinuar, sepse është në diskutim një proces ballkanik. Është logjike që hapa të tillë, zakonisht duhen koordinuar me kryesuesin e takimit të ardhshëm të BE-së. Ky është vetëm fillimi i një procesi dhe ne jemi në një rrugë të përbashkët", tha Gjukanoviç. Gjithashtu gjatë konferencës për shtyp, Kryeministri Sali Berisha vlerësoi rolin e homologut malazez, i cili me kurajo, guxim dhe vizionin e tij ka kontribuar në paqen dhe sigurinë në Ballkan dhe rajon, i cili mori vendimin e guximshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
"Njohja që vendi dhe qeveria e Malit të Zi i bënë Kosovës, përbëjnë një bazë për marrëdhënie të shkëlqyer midis dy vendeve", tha Kryeministri Berisha. Të dy kryeministrat konfirmuan se diskutuan gjerësisht mbi zhvillimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat, duke rënë dakord të intensifikojnë të gjitha përpjekjet për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, që po rritet si pasojë e marrëveshjeve të tregtisë së lirë si dhe për bashkëpunim në infrastrukturë. Të dy kryeministrat ndanë pikëpamje të njëjta për forcimin e bashkëpunimit në luftën ndaj kriminalitetit dhe mbi zhvillimet në rajon si dhe vendosmërinë për integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.