E Diel, 1 Nëntor 2026

Probleme me shpinën, Lala do të operohet

 

Jetmir Halilaj

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala, duhet t’i nënshtrohet me çdo kusht një operacioni në shpinë. Problem ky që e mban prej tri javësh jashtë fushave të lojës. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare dhe i Hanoverit vuan nga hernia diskale në shpinë, të cilën shpresonte ta kuronte pa ndërhyrje kirurgjikale, nëpërmjet terapive alternative, por pa rezultat. Ndaj, Lala do të operohet nga mjeku Volfgang Laksh, specialisti që ka operuar edhe legjendën gjermane, Jurgen Klinsman, në shtatorin e vitit të kaluar. Pas operimit, kapiteni i përfaqësueses sonë pritet të qëndrojë gjashtë javë jashtë fushës së blertë, para se t’i kthehet stërvitjeve me skuadrën. “Ne kemi ndërmend që operimin ta bëjmë gjatë këtyre ditëve, në mënyrë që Lala të jetë i gatshëm për stërvitjet e skuadrës në fillim të vitit 2009”, ka deklaruar agjenti i shqiptarit, Harun Arslan. Këtë edicion me Hanoverin, mesfushori Lala ka zhvilluar 9 ndeshje, 5 prej tyre si titullar. 33-vjeçari ndodhet te Hanoveri që nga vera e vitit 1998, kur kaloi nga Borusia Fulda. Me skuadrën e Bundesligës gjermane, ai ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. Ekipi i Hanoverit, pas 14 javëve, gjendet në vendin e 13-të në tabelë, me 13 pikë të mbledhura.
Lojtari
Është përpjekur me të gjitha mënyrat që ta evitonte këtë operacion, por nuk ia ka dalë mbanë. Por megjithatë, kapiteni shpreson që të mos i mungojë Shqipërisë në ndeshjen me Maltën, e cila do të luhet më 11 shkurt. Kjo do të jetë një sfidë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi teorikisht ka shansin më të mirë që të marrë tri pikë të plota në eliminatoret e Botërorit 2010. “Doja ta evitoja këtë operacion, por terapia që kam ndjekur deri tani nuk ka dhënë rezultatet që priteshin, – thotë vetë Lala. – Shpresoj që operacioni të dalë me sukses dhe të mos mungoj në përballjen me Maltën, sepse ajo është tepër e rëndësishme për ne. Padyshim që nuk jam aspak i kënaqur që do t’i nënshtrohem këtij operacioni”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›